Zhvillohet takimi i grupit të punës për regjistrimin e popullsisë
Elbasan U zhvillua në Elbasan takimi i grupit të punës që do të merret me regjistrimin e popullsisë në këtë qark. Kryetari i këshillit të qarkut, që është njëkohësisht edhe kryetar i grupit të punës për këtë qëllim, Blendi Himçi, u shpreh për rëndësinë e këtij procesi, hapat që po ndërmerren, përzgjedhjen e anketuesve dhe kontrollorëve si dhe institucionet që do të mbështesin drejtpërdrejt numërimin e popullsisë. Në përbërje të grupit të punës në shkallë qarku janë prefekti i Elbasanit, përfaqësuesi i INSTAT, drejtoria e arsimit, drejtoria e bujqësisë, drejtoria e policisë etj.
Kryetari i grupit të punës, Blendi Himçi, lexoi vendimin e ardhur nga Këshilli i Ministrave, ku veç të tjerave sqarohen se çfarë funksioni do të kenë anëtarët e CENSUS në shkallë qarku, sesi do të vijojë procesi dhe detyrat që do të ketë secili prej tyre.
Bashkia Elbasan nga ana e saj, si një nga njësitë vendore më të mëdha, ka ngritur zyrën e saj me 255 anketues dhe 51 kontrollorë.
Përfaqësuesi i INSTAT-it, Mehmet Basha, u shpreh se INSTAT ka kohë që po merret me procesin. Është përzgjedhur numri i kontrollorëve, do të përzgjidhen anketuesit. Procesi nis më 1 tetor dhe janë 204 persona nga Elbasani, Peqini dhe Gramshi që do të trajnohen në Elbasan si kontrollorë. Ndërsa kontrollorët e Librazhdit do të trajnohen në këtë qytet. Ai ka kërkuar që kryetarët e komunave dhe bashkive duhet të bashkëpunojnë në këtë proces për ngritjen e grupeve të punës në njësitë vendore.
Qarku Elbasan numëron mbi 435 mijë banorë. Regjistrimi do të përfundojë brenda muajit tetor dhe për realizimin e tij do të përfshihen arsimtarë dhe persona me shkollë të lartë e që kanë eksperienca të mjaftueshme në këtë drejtim. F.S.