Universitetet, Libri i Transparencës, shpërndarja në mesin e muajit gusht
Kontestimet për parregullsitë, në Librin e Transparencës, maturantët duhet të drejtohen në Drejtoritë Arsimore Rajonale
Drejtori i APRIAL, Frederik Shalsi, ka informuar se libri me pikët për secilin maturant do të publikohet në shkolla pas dy javësh
Libri i Transparencës, në të cilët janë të vendosura pikët totale për secilin maturant, do të fillojë të shpërndahet në shkolla në mesin e muajit gusht. Lajmin e ka pohuar për maturantët, drejtori i Agjencisë së Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), Frederik Shalsi, i cili është shprehur se tashmë agjencia ka bazën e të dhënave me të gjithë elementët e duhur për secilin kandidat maturant: rezultatet e provimeve D1, D2, Z1, Z2; notën mesatare të marrë nga Formulari A2, si dhe preferencat e përcaktuara nga vetë kandidati. Me këto të dhëna, ka shtuar Shalsi, do të fillojë llogaritja e pikëve për secilën preferencë, të çdonjërit prej kandidatëve maturantë. Me përfundimin e këtij procesi, do të botohet Libri i Transparencës, që parashikohet të dalë pas dy javësh. Duke qenë që i gjithë procesi është tërësisht transparent, sikurse është vepruar për rezultatet e të katër provimeve, edhe Libri i Transparencës do të vihet në dispozicion të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore të Rretheve, për t’u publikuar në shkolla. Në Librin e Transparencës, secili nxënës ka mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat e tij dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme. Rruga zyrtare e kontestimit kalon nga shkolla, në DAR/ZA dhe vjen zyrtarisht në APRIAL. Kjo për arsye se janë këto institucione arsimore, kompetente për kontrollin dhe konfirmimin e ndryshimit të një të dhëne të secilit nxënës të rrethit të tyre. Pasi të merren kontestimet, ka shpjeguar drejtori Shalsi, dhe të realizohen ndryshimet e argumentuara zyrtarisht, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit parashikohet të bëhet përcaktimi i fituesve të fazës së parë. Edhe këto lista do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet DAR/ZA. Njëkohësisht, listat e fituesve të fazës së parë do t’i jepet edhe të gjithë IAL-ve. Sikurse është theksuar dhe në fletëpalosjen që iu është shpërndarë maturantëve ditën e provimeve me zgjedhje, për secilin fitues është e detyrueshme të regjistrohet në programin e studimit ku është shpallur fitues në fazën e parë. Kjo për arsye të verifikimit të kandidatëve që do të largohen jashtë vendit për studime, që merret nga mosregjistrimi i tyre në programet e studimit ku ata janë shpallur fitues. Pasi këta kandidatë që nuk janë regjistruar “hiqen” nga baza e të dhënave, ribëhet përcaktimi i fituesve në fazën e dytë. Listat e fituesve u dërgohen fakulteteve dhe realizohet regjistrimi përfundimtar. “Për të gjithë këtë proces, do të jepen udhëzimet përkatëse nga MASH. Me këtë rast, dua të theksoj se është shumë i rëndësishëm fakti i respektimit të afateve të përcaktuara nga MASH, pasi mund të sjellë humbjen e të drejtës së studimit. Për çdo sqarim apo kërkesë, kandidatët maturantë duhet të drejtohen në shkollë, DAR/ZA, njëkohësisht mund të drejtojnë pyetjet e tyre në adresën e E-mail aprial2008@yahoo.com”, ka shpjeguar në përfundim të prononcimit për shtyp, drejtori i APRIAL, Frederik Shalsi.