E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi humbur dy vajza, na ndihmoni të mos na vdesë e treta

 

Pacientja njëvjeçare, Klea, është bërë banore e Pediatrisë. I rrezikohet jeta pasi nuk ka kushte në shtëpi. Prindërit bëjnë apel për ndihmë

Nëse do më vdesë edhe kjo vajzë, do shkoj edhe unë pas saj se shumicën e familjes i kam në varr. Këto fjalë të dhimbshme që mund të dalin vetëm nga goja e një prindi tek shikon vogëlushen në gjendje tepër të rëndë. Frika se mos humbasin edhe vajzën e vogël, pas vdekjes së 2 vajzave të para, po i tmerron ata çdo ditë e më shumë. Bëhet fjalë për vogëlushen 1-vjeçare Klea Mehmeti, nga Valiasi, e cila ndodhet e shtruar në Pediatri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të cilën mjekët pohojnë se vuan nga një sëmundje e mungesës së imunitetet të trupit. Që Klea të jetojë duhet të marrë në mënyrë të rregullt jo vetëm mjekimin, por asaj duhet t’i sigurohet një dhomë më vete dhe kushte higjienike tepër të larta sepse një grip apo infeksion, do t’i rrezikonte jetën. Por nëna dhe babai i saj tregojnë se nuk kanë asnjë mundësi për t’ia plotësuar këto kushte të bijës dhe trishtimi se edhe ajo mund të largohet nga kjo botë po i shkatërron ata çdo ditë e më shumë.

Rreziku

Duket si një engjëll që i janë prerë krahët, tek fle me fytyrën e zverdhur sa është vështirë ta dallosh nëse po merr frymë. Ndërsa krahët i ka të nxira nga shpimet që i janë bërë për analiza dhe në kokë mban një vigon në formë fluture nga i cili merr serume për të mbajtur shpirtin gjallë, pasi është i vetmi “ushqim” që ajo mundet marrë. Klea është bërë banore e Pediatrisë prej një muaji sepse gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë dhe në shtëpinë e saj nuk mund t’i sigurohet një dhomë ku ajo të qëndrojë në mënyrë që të mos marrë ndonjë infeksion. “Jetojmë në një dhomë e gjithë familja dhe nuk kam asnjë mundësi ku t’i siguroj vogëlushes time dhomë në vete apo kushte komode, në mënyrë që ajo të jetojë. Nuk di çfarë të bëj dhe ku të mbytem për të shpëtuar vajzën”,- pohon babi i pacientes, Arben Mehmeti, i cili nuk mundet të fshehë trishtimin se mund ta humbasë edhe atë si dy vajzat e para. Ai e di tashmë se mënyra e vetme që Klea të jetojë është që ajo të marrë mjekim në mënyrë të rregullt, por t’i sigurojë edhe ato kushte që i mungojnë dhe që mund të bëhen shkak për humbjen e jetës së saj. Ndërsa nëna e vogëlushes, të cilës nuk i pushojnë sytë së lotuari, bën apel për ndihmë. “Jemi të papunë dhe nuk kemi asnjë të ardhur financiare për t’i siguruar kushtet më minimale vajzës. Nuk dua ta humbas si Anjezën dhe Edrën, që dhanë shpirt pikërisht në moshën e Kleas. Ju lutem, na ndihmoni!”,- pohon ajo. Sipas saj, edhe Klea ka pothuajse të njëjta shenja të sëmundjes, si dy motrat që kanë vdekur, ndaj dhe kjo e tmerron atë se do të ndahet nga jeta. E ndërsa halli i ka zënë derën, prindërit e Kleas falënderojnë vetëm mjekët, pasi deri tani vetëm ata i kanë ndihmuar dhe po kujdesen që vogëlushja e tyre të jetojë.

Mjekja: Duhet t’i krijohen kushte, një infeksion i rrezikon jetën

Pacientja vuan nga një sëmundje e rrallë dhe e rëndë dhe një grip apo infeksion mund t’i rrezikojë jetën. Kështu u shpreh shefja e shërbimit të Pneumo-Alergologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, Luljeta (Sërbo) Kota, e cila shpjegoi se kjo sëmundje quhet Hipogamaglobunemi që është sëmundje e mungesës së imunitetit të trupit (Gamaglubulinamia). “Kjo sëmundje është rast shumë i rrallë, sidomos tek vajzat. Megjithëse i kemi vendosur një diagnozë dhe kemi arritur në përfundimin se nuk ka imunitet të trupit dhe për shkak të kësaj sëmundjeje duhet t’i bëhen edhe analiza gjenetike dhe imunologjike, për të ditur tipin e vërtetë të kësaj sëmundjeje. Fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje i shfaqin problemet pas 6 muajsh nga dita e lindjes”,- pohon Luljeta (Sërbo) Kota. Ndërsa, sa i takon dy fëmijëve të tjerë që kanë vdekur në të njëjtën moshë me Klean ajo pohon se, mendojmë se mund të kenë vdekur nga e njëjta sëmundje që ka Klea por këtë nuk e thonë me siguri, pasi ato nuk janë ndjekur nga shërbimi i saj. Ndërkohë ajo pohon se Klean momentalisht po e mbajnë me antibiotik shumë të fortë, për të mjekuar infeksionin e rëndë që është zhvilluar në kushtet e mungesës së imunitetit dhe krahas antibiotikëve po merr edhe 2 gjilpëra Gamaliglubinë që momentalisht i ka spitali dhe kushtojnë rreth 200 euro një dozë. “Ajo që dua të theksoj është se Klea mund të jetojë vetëm nëse merr vazhdimisht këtë medikament dhe i sigurohen kushte me higjienë maksimale, pasi ajo është e rrezikuar nga çdo infeksion, që do të thotë se nëse ajo preket qoftë edhe nga ndonjë grip, virozë apo infeksion, i rrezikohet seriozisht jeta”,- pohon doktoresha, duke shtuar se pacientes duhet t’i sigurohet një dhomë më vete dhe të mos ketë kontakte me shumë njerëz. “Ne momentalisht po e mbajmë në spital dhe i kemi siguruar një dhomë më vete, por këtu nuk mund ta mbajmë gjatë, ndaj asaj duhet t’i sigurohet një dhomë në shtëpinë e saj me të njëjtat kondita”,- thekson Luljeta (Sërbo) Kota.

“Vajzat na vdiqën pa ua ditur diagnozat”

U kanë vdekur dy vajza, por kurrë nuk e kanë marrë vesh se nga cila sëmundje ndërruan jetë. Nëna e vogëlushes Klea tregon se vajza e parë, që quhej Edra, vdiq 1 vjeçe dhe 3 muajshe, në një fshat të Kukësit, ku jetonin para se të vinin Valias. “Mjekët më thanë se vdiq nga temperatura e brendshme dhe nuk morëm asnjë shpjegim më shumë”,- pohon ajo. Ndërsa Anjeza, vajza tjetër ka dhënë shpirt po në moshën 1 vjeçe, por kësaj radhe në Pediatrinë e Tiranës. “Ajo ishte më e dobët se Anjeza. Shenjat e para ishin skuqje te pjesa e qafës. Pasi ndenja 1 muaj në spital me të më nxorën, por pa ia ditur diagnozën. Sapo vajta në shtëpi i filloi diarreja dhe të vjellat, derisa dha shpirt”,- pohon ajo, duke shtuar se mjekët i kishin thënë se ajo vdiq nga helmimi në gjak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›