FMN: Shqipëria duhet të përmirësojë qeverisjen
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se Shqipëria duhet të përmirësojë qeverisjen, drejtësinë dhe të drejtat e pronësisë
Mbikëqyrja bankare si dhe sektori i energjisë elektrike, përbëjnë dy rreziqet më të mëdha të vendit
Reformat e papërfunduara te sektori i energjisë elektrike dhe nevoja për të zhvilluar mbikëqyrjen e bankave, janë dy problemet kryesore të Shqipërisë sot, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bordi i Drejtorëve të FMN, në Uashington, miratoi së fundmi rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe disbursoi 4 milionë dollarë ndihmë. “Për të rritur eksportet dhe për të garantuar zhvillimin ekonomik, Shqipëria ka nevojë të përmirësojë klimën e biznesit, veçanërisht në qeverisje, drejtësi dhe të drejtat e pronësisë”,- deklaroi z.Murilo Portugal, Zëvendëspresident i Bordit të Drejtorëve të FMN-së. Ekonomia ka ecur mirë, por rreziqet janë shtuar gjithashtu. “Për të ruajtur rritjen ekonomike në vitet në vijim, vendi ka nevojë të përmirësojë klimën e biznesit, veçanërisht qeverisjen dhe sistemin gjyqësor”, - deklaroi Portugal.
Reformat e deklaruara të qeverisë mbi klimën e biznesit, duket se nuk e kanë bindur FMN-në. Kritikat për qeverisjen nuk janë të zakonshme në deklaratat e këtij institucioni. Gjatë tre viteve të fundit, vërehet shtimi i taksave afrofe. Janë shtuar të drejtat e zyrtarëve të tatimeve, të cilët kanë fituar edhe të drejtën për të futur duart në llogaritë bankare të subjekteve pa shumë procedura, një hap një vlerësohet nga ekspertë të fushës, si “jodemokratik”.
Dy janë sektorët e parë si më problematikë nga Fondi. “Rregullimi dhe mbikëqyrja duhet të zhvillohen në të njëjtin hap me sektorin bankar. Mbikëqyrja duhet të jetë shumë vigjilente dhe të përshtasë rregulla të reja për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Është e nevojshme që menjëherë të përmirësohet mbikëqyrja ndërkufitare dhe ekzekutimi i kolateralit”.
Sistemi bankar në Shqipëri po përballet me shtimin e kredive të këqija, të cilat gjatë viteve të fundit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa ritmi i rritjes së kredisë. Nga ana tjetër, mbikëqyrja monetare është treguar gjithnjë e më shumë tolerante. Kjo është e disata herë që FMN kërkon ashpërsimin e mbikëqyrjes bankare.
Energjia elektrike mbetet problemi më i madh i Shqipërisë, ku reformat nuk kanë ecur përpara dhe që mbart rrezik të konsiderueshëm për Buxhetin e Shtetit dhe ekonominë në tërësi. “Mospërfundimi i reformave ka sjellë kosto të konsiderueshme ekonomike. Problemi më i madh është mospagesa e energjisë elektrike”. Në Shqipëri vetëm 50% e energjisë së konsumuar paguhet, kuotë kjo shumë më e ulët edhe sesa mesatarja e rajonit, ku mblidhen paratë për 75% të energjisë së furnizuar.
“Pa reforma në këtë fushë, kompanitë e energjisë elektrike do të vijojnë të dalin me humbje. Rreziqet për Buxhetin e Shtetit do të rriten dhe privatizimi i sektorit do të bëhet më i vështirë”,- deklaroi z.Portugal.
Qeveria shqiptare ka nxjerrë në shitje Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, kompani që do të ketë për qëllim shpërndarjen e energjisë elektrike te konsumatori final dhe mbledhjen e të ardhurave. Katër kompani ndërkombëtare janë interesuar për të blerë këtë kompani, por vetë zyrtarë të qeverisë shprehen me pesimizëm mbi rezultatin e privatizimit.