Dështojnë negociatat për Polin
ADI SHKEMBI
Partitë që do të formojnë Polin e Lirisë dështojnë në tentativat e tyre për të gjetur një formulë të pranuar me konsensus për drejtimin e tij. Megjithëse janë takuar disa herë radhazi ditët e fundit, PDK, LZHK dhe PLiDr nuk kanë gjetur zgjidhje për mënyrën e drejtimit të koalicionit. Madje, njëri prej tre nismëtarëve, Dashamir Shehi, bën të ditur se nuk përjashtohet mundësia që ky koalicion të nisë jo me tre, por me dy forca politike dhe disa parti të vogla.
Negociatat
Burime pranë Polit bëjnë të ditur për gazetën se Ndoka, Shehi dhe Ngjela nuk kanë arritur akoma një marrëveshje për mënyrën se si do të dalë ky koalicion përballë elektoratit. Mësohet se kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, nuk është tërhequr nga ideja e tij fillestare që Poli të ketë një drejtues politik. Por kjo ide nuk është mirëpritur nga ana e Ndokës dhe Shehit, të cilët janë shprehur se një kryetar për koalicionin nuk është i dobishëm. I kontaktuar mbrëmë nga gazeta “Panorama”, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi theksoi se të mërkurën e ardhshme do të zyrtarizohet marrëveshja e Polit. Sipas tij, kjo marrëveshje u shty për shkak se priten disa parti të tjera që do t’i bashkohen koalicionit, siç është Partia e Ballit Kombëtar, e cila pritet të mbledhë forumet në fundjavë. Por i pyetur nëse ekziston mundësia që fillimisht nismëtarë të krijimit të Polit të jenë vetë dy forca politike, LZHK dhe PDK, ai tha se “ne këtë punë e kemi nisur dhe sido që të shkojë, nuk do e lëmë përgjysmë. Por unë i qëndroj ende mendimit tim fillestar, se ne nuk kemi nevojë për kryetar për Polin. Edhe Kodi i ri Zgjedhor i miratuar në Parlament na e krijon këtë hapësirë”. Pak ditë më parë të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. “Nuk ka asnjë arsye që Poli i Lirisë të ketë kryetar. Këtë nuk e kërkon as Kodi Zgjedhor, pra nuk është një pengesë. Gjithsesi të gjitha modalitetet do të vendosen në ditët e ardhshme, kur të bëhet marrëveshja. Në përgjithësi të gjitha partitë do të bëjnë fushatë më vete, por takimet e rëndësishme, siç mund të jetë për shembull mitingu përmbyllës, do të jetë i përbashkët”, theksoi kreu i PDK-së. Prej javësh krerët e këtij koalicioni janë duke negociuar edhe me disa parti të tjera të vogla për t’u bashkuar me qëllim maksimizimin e votave në disa prej qarqeve ku mundësitë për të nxjerrë deputetë janë të mëdha.