E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Pinjollë të kolaboracionistëve po ngjiten në PD

 

Aristir Lumezi

Kreu i PDS-së, historiani i njohur Paskal Milo u shpreh dje për “Panorama”, se trajtimi ekonomikisht i isha bashkëpunëtorëve të kushtetuesve të huaj nga ana e qeverisë dhe maxhorancës ka të bëjë me uzurpimin e PD-së nga pinjollët e kësaj kategorie, për të cilët sipas tij historia ka dhënë verdiktit e saj. Duke sjellë fakte nga historia, Milo shprehet se kjo që po ndodh në Shqipëri është e paprecedentë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. “Në asnjë vend të Evropës, kolaboracionistët nuk janë rehabilituar dhe aq më keq të mund të trajtohen si të persekutuar dhe ekonomikisht. Kjo nuk ka ndodhur as në Norvegji, ku nga emri i majorit kuisling u përgjithësua dhe fenomeni i kolaboracionistit me fashizmin që u njoh me emrin “kuislingët”, as edhe në Francën e Marshallit Peten, nuk është bërë rehabilitim i atyre njerëzve që bashkëpunuan me fashizmin”, shprehet profesori i njohur i historisë. Sipas tij, ky qëndrim i maxhorancës ndaj kësaj kategorie, është në vazhdën e filozofisë së saj parazgjedhore, antikomuniste. Por ai shprehet se afërsisht 20 vjet nga përmbysja e sistemit komunist, nuk mundet të hysh në zgjedhje me armë të vjetra, ai antikomunizmi, në një kohë që komunizmi nuk ekziston që prej 20 vjetësh në Shqipëri.
Zoti Milo maxhoranca ka sjellë në komisionin e ligjeve një projektligj mjaft të atakuar në lidhje me trajtimin e ish të përndjekurve politikë ku në këtë kategori përfshihen përmes një amendamenti edhe ish-bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj, të cilët janë pushkatuar më pas nga pushteti popullor i pasluftës. Kjo kategori si është trajtuar në historinë tonë?
Gjithë galeria e atyre që bashkëpunuan si me pushtuesin fashist, ashtu dhe ata që bashkëpunuan me pushtuesin nazist kanë marrë dënimin e tyre në histori, duke u dënuar me ligjet e luftës si bashkëpunëtorë të fashizmit. Kjo është e paprecedentë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Në asnjë vend të Evropës, kolaboracionistët nuk janë rehabilituar dhe aq më keq të mund të trajtohen si të persekutuar dhe ekonomikisht. Kjo nuk ka ndodhur as në Norvegji, ku nga emri i majorit Kuisling u përgjithësua dhe fenomeni i kolaboracionistit me fashizmin, që u njoh me emrin “kuislingët”, as edhe në Francën e Marshallit Peten, nuk është bërë rehabilitim i atyre njerëzve që bashkëpunuan me fashizmin. Këtu tek ne, duke qenë se po afron fushata zgjedhore dhe 28 qershori dita e zgjedhjeve, PD ka menduar që të organizojë një kryqëzatë tjetër antikomuniste, duke shpresuar se me një metodë të tillë të kapërcyer tashmë prej 18 vjetësh, do të mund të fitojë zgjedhjet. Antikomunizmi nuk mund të jetë flamur i betejës së PD këtë herë. Është aventurë siç po ndodh rëndom tashmë në veprimtarinë politike të kësaj partie, është një vazhdim i mëtejshëm i iniciativës që maxhoranca ndërmori dhe dështoi ligji për Dosjet.
Ka një tendencë të vazhdueshme nga maxhoranca që të gjithë të dënuarit e kohës 50-vjeçare të regjimit komunist të trajtohen si antikomunistë, si ata që ju thoni bashkëpunëtorë me pushtuesin e huaj dhe ata të persekutuar që u dënuan nga regjimi për ide demokratike duke i përfshirë në një kategori. Nga ana historike, a janë sqaruar këto kategori, veçanërisht kjo e bashkëpunëtorëve me pushtuesin e huaj?
Kategoritë e këtyre njerëzve i ka sqaruar historia, por historia i ka sqaruar faktet e padiskutueshme të saj dhe ekziston një ndarje e qartë midis Luftës së Dytë Botërore dhe regjimit komunist që u vendos në Shqipëri pas saj. Kjo është shumë e qartë për të gjithë shqiptarët. Qëllimisht ngatërrohet, po e nënvizoj, se në këtë kohë po merr përparësi në drejtimin e PD-së disa pinjollë të kolaboracionizmit shqiptar të Luftës së Dytë Botërore dhe ata duan të rishikojnë historinë, ta ribëjnë sipas pretendimeve të tyre dhe kjo çka po ndodh tani është një shenjë e qartë e këtij synimi. Deri në 29 nëntor 1944 Shqipëria ka qenë në luftë me fashizmin, forcat e vërteta antifashiste ditën të luftonin dhe të rreshtoheshin në krahun antifashist, në vendin e duhur, në organizimet e duhura dhe në momentin e duhur. Kolaboracionistët që panë interesat e tyre, pushtetore, pasurore vajtën dhe një pjesë e mirë e tyre bashkëpunuan me pushtuesin italian dhe një pjesë tjetër, që ishin për një farë kohe në opozitë me kushtetuesit italianë, bashkëpunuan me gjermanët dhe formuan qeverinë kolaboracioniste kukull të Rexhep Mitrovicës, gjatë pushtimit gjerman. Dhe ata ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të fashizmit dhe nazizmit, ata kanë bashkëpunuar për të djegur fshatra dhe qytetet e Shqipërisë, për të vrarë njerëzit e ndershëm antifashistë. Spekulimi rreth nacionalizmit shqiptar dhe nacionalistëve shqiptarë sot bëhet për të maskuar kolaboracionizmin e disa njerëzve. Bindjet politike janë të ndryshme dhe është e patolerueshme kur dënohesh për bindjet politike dhe për këtë jemi të gjithë dakord. Por vija ndarëse në kohën e luftës ka qenë bashkëpunimi se jo me kushtetuesin. Këta njerëz që duan të rehabilitohen kanë qenë bashkëpunëtorë të zellshëm të fashizmit dhe jo nacionalistë. Sigurisht që ka pasur nacionalistë të ndershëm, antikomunistë dhe unë e bëj ndarjen shumë të qartë midis tyre, por nuk mund të pretendohet që nën ombrellën e nacionalizmit të futen edhe kolaboracionistët edhe qeveritarët e të gjitha niveleve të atyre qeverive kukulla që ngriti pushtuesi.
Mendoni se ka një tendencë të qëllimshme në këtë trajtim nga ana e qeverisë, pasi 2 vjet më parë qeveria përmes një vendimi të saj përjashtoi të afërmit e dëshmorëve të luftës nga përfitimi financiar, duke ia dhënë sot këtë ish-bashkëpunëtorëve të kushtetuesit?
Kjo maxhorancë që në fillim të viteve ‘90 dhe deri tani ka dëshmuar se nën petkun e antikomunizmit ka qenë dhe mbetet një nihiliste dhe një kundërshtare e luftës Antifashiste dhe Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Këtë e ka dëshmuar me qëndrimet e veta qoftë në Kuvendin e Shqipërisë apo dhe jashtë tij, me vendimet për të zhbërë edhe historinë e kësaj lufte, prandaj nuk duhet çuditur, që ka një vazhdimësi të nihilizmit të vlerave patriotike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të rehabilituar të gjithë kolaboracionizmin real shqiptar të Luftës së Dytë Botërore dhe e gjithë kjo strategji bëhet për të funksionuar mekanizmi i mashtrimit, meqë afron fushata elektorale. Maxhoranca në vend që të bëjë përpjekje dhe të ngrihet në nivelin e një partie politike të së djathtës evropiane, e cila ka alternativën e vet bindëse dhe të argumentuar, kjo maxhorancë vazhdon ta ketë orën prapa mbi 60 vjet dhe të ketë si lajtmotiv të alternativës së vet antikomunizmin, në një kohë që komunizmi ka vdekur dhe kufomat e komunizmit i ka në gjirin e saj. Kjo është filozofia e kësaj maxhorance dhe e Partisë Demokratike.

Majko: Kolaboracionistët në koshin e plehrave

Deputeti socialist në komisionin e Ligjeve, Pandeli Majko e kundërshtoi me forcë paraqitjen e amendamentit të maxhorancës, që kërkon dëmshpërblimin e bashkëpunëtorëve të kushtetuesve. Sipas Majkos nuk ka asnjë precedent në Evropë që të ketë bërë një gjë të tillë. “Të nderuar miq, që të mos i vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve pas ‘44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë në plehrat e historisë. Prandaj këta nuk mund të mbivendosen mbi vuajtjet e atyre që kanë kaluar golgotën në periudhën e regjimit komunist. Këta që kanë kryer krime lufte para ’44 nuk mund të vendosen në një paralel me horrat që kanë bashkëpunuar me okupatorin për të vrarë, plaçkitur dhe djegur. Ata që kanë vuajtur pas ‘44 është një histori tjetër”, deklaroi Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›