E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, ekzekutohet me thikë në banesë vajza nga Shqipëria

 

Një vajzë shqiptare me qëndrim në Itali u vra brutalisht nga persona ende të pa identifikuar. Aruska Sedana, nga Shqipëria, u gjet e vdekur në banesën e saj në provincën Cerinjola në qytetin e Foxhias.Viktima e krimit barbar është gjetur pa jetë në apartamentin e saj ndërsa autorët e krimit janë zhdukur. Pas verifikimeve të para, policia tha se vajza shqiptare kishte më pak se një muaj që ishte vendosur në Itali. Policia u lajmërua nga personi me të cilin vajza bashkëjetonte. Ai është kthyer në banesë dhe pasi është përballur me skenën e krimit ka lajmëruar menjëherë policinë duke kërkuar ndihmë. Mediat italiane aludonin dje se logjika e vrasjes është tipike shqiptare, duke përjashtuar mundësinë që krimi të jetë kryer nga shtetas të vendit fqinj. Mediat italiane përshkruanin dje se vrasësit kanë përdorur mjete prerëse për të realizuar krimin. Sipas hetuesve që shkuan në vendin e ngjarjes, viktima kishte pësuar prerje në fyt. Ajo ka mbetur pa jetë, si pasojë e humbjes së sasive të mëdha të gjakut nga dëmtimi i venave kryesore. Forca të shumta të policisë janë vendosur në zonën ku ndodhi vrasja e vajzës nga Shqipëria. Komisariati i provinës ka nisur hetimet për vrasjen makabre ndërsa ende nuk është arritur të identifikohen autorët e ngjarjes. Grupi hetimor ka marrë në pyetje fqinjët e vajzës, të cilët nuk kishin vënë re diçka të dyshimtë. Koha e saktë kur ka ndodhur krimi pritet të përcaktohet nga autopsia, ndërsa banorët e zonës i thanë policisë se një ditë më parë, e kishin parë vajzën porse nuk kishin vënë re shenja shqetësimi. Sipas banorëve të zonës, viktima është parë një ditë para vrasjes, teksa po vendoste në ballkon disa rroba. Dëshmitarët e pyetur nga policia nuk kanë arritur të japin përshkrime apo detaje për persona të panjohur në zonë. Hetuesit kanë ngritur hipotezën se autori i krimit ka qenë i njohur i viktimës, pasi ka hyrë në shtëpinë e vajzës. Vrasja sipas hipotezave të policisë është kryer nga një person i vetëm pasi edhe gjurmët e gishtave që u gjetën në vendin e ngjarjes, me përjashtim të shenjave të viktimës dhe personit me të cilin ajo bashkëjetonte, ishin të njëjta. Në mënyrë paraprake policia beson se shkak për ngjarjen kanë qenë motive të dobëta duke mos përjashtuar mundësinë e xhelozisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›