KE financon 1.5 mln euro për Shkollën e Policisë
TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, përuruan dje punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Formimit Policor. Projekti me vlerë 1.5 milionë euro është financiar nga Programi CARDS i Bashkimit Evropian. Ministri i Brendshëm Nishani tha se sfidat që ka përpara Policia e Shtetit, si lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i kufijve, trafiku i qenieve njerëzore, nuk mund të kompletohen në se do të neglizhonim trajnimin e specializuar, sipas specifikave të legjislacionit aktual, të punonjësve të Policisë së shtetit. Në këtë aspekt, Ministri Nishani vlerësoi eksperiencën dhe ndihmën e dhënë nga misionet PAMECA e ICITAP, për konsolidimin e arsimimit policor. "Vlerësoj asistencën financiare dhe profesionale të ofruar nga partnerët ndërkombëtarë, duke u siguruar atyre në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, se ata do të gjejnë tek ne një partner të sigurt dhe serioz, që asistenca e dhënë deri tani i ka shërbyer një qëllimi të madh, i ka shërbyer çdo punonjësi policie që funksionon brenda strukturës së Policisë së Shtetit", tha ministri Nishani. Zyra e Shtypit e KE në Tiranë, pohoi dje se "punimet synojnë përmirësimin e kushteve të punës së Policisë së Shtetit, që do të ndikonte pozitivisht në kryerjen e detyrave të saj". Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian, Ambasadori Helmuth Lohan vuri në dukje disa çështje të lidhura fort me mirë-funksionimin e Policisë së Shtetit, siç janë kushtet e punës, anët legjislative, strukturore dhe burimet njerëzore, së bashku me vullnetin politik për të përdorur në mënyrë të drejtë dhe në masën e duhur mundësitë e policisë për zbatimin e ligjit, sigurinë dhe jetesë cilësore.