Dështon Ligji antiduhan, IShP: Nuk uli duhanpirësit
Ligji Antiduhan, megjithëse ka 3 vjet që ka hyrë në fuqi, nuk ka gjetur zbatimin e duhur. Për rrjedhojë, sipas specialistëve të shëndetit publik, nevojitet një rishikim i këtij ligji, në mënyrë që të sigurohet ruajtja e shëndetit të popullatës nga dëmet e duhanit. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (IShP) deklarojnë se Ligji Antiduhan nuk ka ndikuar në uljen e numrit të personave që pinë cigare. Vitet e fundit, sipas tyre, në vendin tonë është rritur ndjeshëm edhe numri i femrave, mbi moshën 15 vjeç, tendenca këto që janë më të theksuara në zonat urbane. “Vendi ynë qëndron në shifra të larta të duhanpirjes dhe e njëjta prevalencë e duhanpirjes ekziston dhe në grupmoshat e femrave, ashtu siç është në Rajonin Ballkanik. Vazhdon, fatkeqësisht, rritja e tendencës së femrës për të pirë duhan, dhe tendenca është e uljes së meshkujve për duhan. Ka një rritje të numrit të duhanpirësve që kërkojnë të lënë duhanin”, - pohon Roland Shuperka, specialist për duhanin në IShP. Specialistët thonë se tymosja e cigareve, sot në botë, por edhe në vendin tonë, është shkaktari kryesor në rritjen e numrit të vdekjeve. Për këtë arsye, do të fillojë së shpejti trajnimi i gjithë mjekëve të familjes në rang kombëtar. “Gjithë mjekët e familjes, gjithë farmacistët, gjithë stomatologët do të trajnohen se si të ndihmojnë duhanpirësit në klinikat e tyre për të lënë duhanin. Është faktori i parë që shkakton sëmundshmëri, e dyta është hipertensioni dhe e treta është alkooli”, - sqaron Shuperka. Në këto kushte, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kërkojnë rishikimin e Ligjit Antiduhan që, sipas tyre, duhet të jetë më i rreptë në zbatimin e tij. Të njëjtën gjë deklaron edhe drejtori i Shëndetit Publik për kryeqytetin, Mëhill Gecaj, i cili shpjegon edhe si qëndron realisht situata për gjobat që u vihen subjekteve, kryesisht lokaleve, që nuk zbatojnë ligjin. Këtë vit, për herë të parë, gjobat që u viheshin subjekteve për moszbatim e tij, nuk do të vilen më nga Policia Bashkiake. Drejtori i Shëndetit Publik thotë se, nëse nuk do të zbatohen kushtet e vëna për pagesën e gjobave nga ana e subjekteve, këto të fundit do të përfundojnë në dyert e gjykatave. “Ne nuk mund të themi që do kapim të gjithë Tiranën për një ditë, por do të themi se kalojmë sipas programit të punës. Nga shefat e shërbimit do bëhet e mundur ndjekja dhe zbatimi me rigorozitet i ligjit. Vetëm për muajin dhjetor kemi rreth 22 gjoba. Subjektet janë detyruar të paguajnë gjobën pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, ose Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, në numrin e saj të llogarisë. Në rast të kundërt, që brenda 30 ditëve kjo gjobë nuk likuidohet, ne tashëm do t’i drejtohemi gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit që dhe ajo të shkojë te zyra e Përmbarimit”, - deklaron Mëhill Gecaj. Vlera e gjobës për çdo subjektet shtetëror kap shifrën e 50 mijë lekëve, ndërsa për subjektet private ajo shkon në shifrën e 100 mijë lekëve.