Financat, gati vendimin për taksat e çmimeve të larta
Ministria e Financave është në përfundim të draftit për të vendosur tatim mbi fitimet, ndaj tarifave të larta bankare dhe kompanive të telefonisë së lëvizshme në vend, në lidhje me shërbimet e shtrenjta që ato u kryejnë qytetarëve shqiptarë. Burime nga institucioni i lartë i financave thanë për gazetën “MAPO” se menjëherë pas deklaratës së parë të kryeministrit Berisha, gjatë takimit me përfaqësuesen e Bankës Botërore, se bankat dhe kompanitë celulare po vjedhin shqiptarët, ministri Bode krijoi një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe përfaqësues të politikave fiskale në ministri, për të hartuar projektvendimin në fjalë. Projekt- Vendimi, që pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së qeverisë, parashikon tatim mbi fitimin ndaj bankave të nivelit të dytë, në lidhje me shërbimet e shtrenjta ndaj konsumatorëve të çdo lloj kategorie dhe gjithashtu ndaj kompanive të telefonisë së lëvizshme. Sipas të njëjtave burime, vendimi në fjalë do të funksionojë vetëm në rast se tarifat nuk do të jenë në nivelet e vendeve të Bashkimit Europian për shërbimet e deklaruara, në të kundërt, nëqoftëse bankat dhe kompanitë celulare vendosin të ulin tarifat ndaj konsumatorëve, ky vendim nuk do të veprojë. Ndërkohë është përcaktuar edhe forma e ndërhyrjes nëpërmjet tatim –fitimit. Ndërsa pak ditë më parë, kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë, i kërkoi ministrit Bode të përgatisë me urgjencë një paketë fiskale, në lidhje me abuzimet stratosferike që u bëhen qytetarëve shqiptarë. Ai kërkoi gjithashtu që tatim fitimi për çdo sms, të jetë 7-8 herë më i madh sesa është sot dhe çdo impuls për biseda, të tatohet në proporcion me herët që është mbi rajonin. Sipas kryeministrit Berisha, duke ditur se 5.5 lekë është kostoja e sms-së, ku përfshihet edhe fitimi 17 për qind. Ndërsa i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, i cili i quajti skandaloze tarifat e telefonisë së lëvizshme në vend n ë 10 vitet e fundit. Duke iu referuar një analize të tregut, të ndërmarrë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ai u shpreh se kjo analizë tregon që normat e fitimit të operatorëve mobilë, me fuqi të ndjeshme në treg, janë jonormale dhe joetike, sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi, ku ka ende varfëri. Sipas tij, AKEP, bazuar në këtë studim tregu, ka hapur një konsultim publik për një reduktim të tarifave të terminimit të operatorëve mobilë. Nga ana tjetër, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka deklaruar se nga marsi 2011, qytetarët shqiptarë do të paguajnë për bisedat e tyre telefonike nga celularët 30% më pak. Në këtë mënyrë, AKEP do të ndërhyjë për të ulur këto tarifa dhe plani i ndërhyrjes që parashikohet të nisë në mars, ku tarifat priten të ulen deri në 76 %, në total të tarifave me shumicë të rrjeteve celulare deri në vitin 2014, që do të reflektohet në kursimin e konsumatorëve. Propozimi për uljen e tarifave me shumicë do të nisë nga 1 marsi 2011 dhe do të bëhet në dy faza. Efekti total i reduktimeve do të jetë 56-76 %, që do të jetë deri në 2014. AKEP nuk do të ndërhyjë në tarifat me pakicë, për efekt konkurrence, mes 4 operatorëve celularë dhe efekti që pritet është në masë absolute në masë të njëjtë me reduktimin e tarifave të terminimit dhe do të nxisë konkurrencën. Kostot janë llogaritur nga konsulencë ndërkombëtare me ekspertë britanikë. Në të njëjtën kohë, ekspertët bankarë deklarojnë se tarifat bankare në vend janë 2-3 fish më të larta se i gjithë rajoni. Interesi mesatar i kredive varion në 2,5 % në muaj dhe 27-30% në vit, për çdo lloj kredie. Ata argumentojnë interesat e larta të kredive dhe të gjitha shërbimeve të tjera bankare, me mënyrën se si financohen bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas tyre, Bankat e Nivelit të Dytë mbahen me paratë e donatorëve dhe nuk punojnë me kapitalet e veta. Në këtë mënyrë, me interesat e larta të shërbimeve, ato sigurojnë interesat e donatorëve dhe të vetat. Arsye tjetër se pse interesat e shërbimeve bankare në vend janë më të larta se i gjithë rajoni, shpjegohet me riskun më të lartë.