Ish-ushtarakët, dalin 172 emrat e rinj përfitues
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e 172 ish-ushtarakëve që u është llogaritur përfitimi pas ardhjes së të dhënave nga dikasteret përgjegjëse. Bëhet fjalë për ish-ushtarakët që e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm u ka lindur pas datës 1 korrik të vitit 2009, të cilët prej më shumë se një viti nuk kanë marrë asnjë trajtim financiar nga shteti. ISSh bën të ditur se për këta përfitues llogaritja e përfitimit është bërë duke filluar nga data 1.7.2009, të cilëve tashmë u është dërguar dhe urdhër-pagesa në qendrat paguese. Më tej, ISSh njofton se do të shikojë me procedurë të përshpejtuar të gjitha dosjet e ish-ushtarakëve, ish-punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të të gjithë përfituesve të tjerë, duke ua llogaritur përfitimin brenda 48 orëve, nga momenti i mbërritjes së dosjes pranë zyrave të DRSSh-ve nga institucionet ku janë përcjellë dosjet e secilit përfitues. Një javë më parë, ISSh publikoi emrat e të 127-tëve që u ishte lidhur pensioni i parakohshëm, ndërsa më herët kjo procedurë është kryer edhe për 77 ish-ushtarakë, 30 punonjës të Policisë së Shtetit si dhe 37 nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Përfshirë edhe përfituesit e fundit, deri më tani janë lidhur pensionet e parakohshme për 317 ish-ushtarakë, ndërkohë që numri total i përfituesve të pensionit të parakohshëm është rreth 1 500. Ndërkaq, ISSh bën me dije se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet për të përshpejtuar plotësimin e dokumentacionit për ish- ushtarakët, me qëllim llogaritjen sa më parë të përfitimeve. Aktualisht ISSh-ja është në pritje të dy dokumenteve nga ministritë dhe institucionet përkatëse për të bërë rillogaritjen e pensioneve, që janë paga referuese dhe vjetërsia në punë. Përpos nisjes së procesit për ushtarakët që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen me këtë lloj përfitimi, por pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse. Në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, ISSh-ja ka parashikuar të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Këta janë për pension të parakohshëm për lehtësi shërbimi. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme.