E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemë e re qarkullimi në Tiranë, rrugët ku do kalohet

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-01-2011 11:11

Bashkia e Tiranës ka nisur të aplikojë që prej ditës së shtunë skemën e re të qarkullimit në kryeqytet, e cila ka sjellë një devijim të trafikut. Drejtor i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, në një deklaratë për shtyp ka bërë të ditura dje rrugët se ku do të kalohet me skemën e re të lëvizjes. “Ashtu siç e kishim njoftuar, prej ditës së djeshme (shtunë) ka filluar implementimi i skemës së re të qarkullimit, për të devijuar fluksin e trafikut i cili shkonte nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ në drejtim të sheshit ‘Skënderbej’, një skemë qarkullimi e cila është përllogaritur dhe përmban të gjithë fluksin e trafikut që kalon në sheshin ‘Skënderbej’”, - ka pohuar Punavija. Drejtori i Transportit ka sqaruar se skema e qarkullimit konsiston që fluksi i trafikut i cili vinte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tani do të kthehet në të dy bulevardet “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri”, ndërkohë që do të hiqet parkimi në bulevardin “Bajram Curri” si dhe në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”. “Kjo është një skemë qarkullimi e cila përparëson sistemin e transportit publik, i cili ndryshe nga mjetet private do të kalojë sërish në qendrën e qytetit. U bëj apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj sinjalizimit rrugor të vendosur nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe ndaj kohëve të reja të semaforëve, që janë ndryshe nga kohët e mëparshme. Theksoj edhe njëherë se menaxhimi i trafikut nga ana e organeve të Policisë është shumë i rëndësishëm, e po ashtu edhe edukata qytetare, me qëllim respektimin e shenjave të sinjalistikës rrugore”, - është shprehur drejtori i Transportit. Sipas skemës së re të lëvizjes së automjeteve, do të ketë disa devijime të trafikut. E reja do të jetë se mjetet që do të vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, për të kaluar në sheshin “Skënderbej” do të devijohen majtas dhe djathtas në bulevardin “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri”. Po ashtu, duke nisur që sot, mjetet nuk do të kalojnë më në aksin midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së, por do të qarkullojnë duke ardhur rrumbullak në krahun ku kalon rruga “Myslim Shyri”. Nga ana tjetër, të gjitha mjetet, që kalonin më parë në krah të Bashkisë dhe Xhamisë, do të kthehen djathtas, duke marrë rrugën “Abdi Toptani”, që kalon përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe del te monumenti i “Partizanit të panjohur”. Ndërsa mjetet, që kalonin përpara Xhamisë për të përshkuar sheshin, do të kalojnë në aksin e hapur pas Pallatit të Kulturës. Përjashtim nga e gjithë kjo skemë lëvizjeje do të bëjnë mjetet e transportit publik, të cilat në aksin veri-jug do të kenë korridor të lirë, pasi do të mundësohet një rrugë posaçërisht për kalimin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›