Moti i keq; Probleme në verilindje dhe jug të vendit
Moti i keq ka përfshirë sërish verilindjen e vendit këtë vit, me dëborë dhe ngrica të shumta. Trashësia e dëborës në shumë rajone i ka kaluar 50 cm si në Qafë-Mali, 30 cm në zonën e Lurës së Dibrës, të Selitës së Mirditës dhe atë të komunave malore të Bulqizës e Peshkopisë. Reshjet kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në disa zona ku kalohet vetëm me zinxhirë, ndërsa komuna e Selitës në Mirditë dhe e Lurës në Dibër janë të riizoluara nga dëbora e rënë. Sipas sipërmarrësve të mirëmbajtjes të akseve nacionale, në zonën e Qafë-Malit po punohet për mbajtjen hapur të këtyre akseve, edhe pse dëbora po bie pa pushim përgjatë gjithë ditës. Ndërsa Policia Rrugore ka marrë masa për parandalimin e aksidenteve, duke i detyruar drejtuesit e automjeteve të vënë zinxhirët në akset e mbuluara nga dëbora. Rënia e dëborës në zonën e Mirditës në aksin e ri të autostradës, ku punohet nga kompania “Bechtel-Enka”, ka sjellë probleme për mbarëvajtjen e punimeve, si në gërmime, por sidomos në hedhjen e trarëve në disa ura, ku punohet me orar të zgjatur. Makineritë e kësaj kompanie kanë bërë të mundur mbajtjen hapur të disa akseve rrugore sidomos në komunat e këtij aksi. Policia po angazhohet për t’u ardhur në ndihmë shoferëve dhe për të bërë të mundur një lëvizje normale. Ndërkohë edhe në jug, Qafa e Llogarasë është mbuluar nga bora që ka rënë orët e fundit. Mjetet borëpastruese kanë nisur punën për hapjen e rrugës së bllokuar. Aktualisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë është i bllokuar. Për normalizimin e trafikut po punojnë mjetet e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve dhe të firmës, që ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së rrugës Vlorë-Sarandë.