Rinas;Ekstradohen tre të kërkuar nga drejtësia shqiptare
Tre të kërkuar nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar ditën e djeshme në Shqipëri. Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Kanadaja drejt Shqipërisë të Leonard Mehmetit lindur në Vlorë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar këtë shtetas me 12 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vjedhjes me armë”, kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, Mehmeti në bashkëpunim me shtetasin Ardian Muho i kanë grabitur me armë shtetasit R. Mici 45 000 marka gjermane me datë 21.03.1995, në Vlorë. Ditën e djeshme u krye ekstradimi nga Milanoja, Itali, drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Edmond Etemaj, lindur më 12.08.1973, në Berat. Gjykata e Shkallës së Parë Berat, në vitin 2004 e ka dënuar atë me 9 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Sipas vendimit të gjykatës, në vitin 1996, shtetasi Ferdinand Etemaj, pasi është njohur me shtetasen J. A, i ka premtuar asaj ta çonte në Itali dhe të martohej me vëllain e tij, Edmond Etemaj. Pasi kanë mbërritur atje, kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Edmond Etemaj, ku ndodhej dhe shtetasja A. K., e cila shfrytëzohej për prostitucion nga Ferdinandi. Ato i kanë kërkuar të dy shtetases J. A. të punonte si prostitutë. Ajo ka refuzuar, dhe si rrjedhojë, Ferdinandi dhe Edmondi kanë ushtruar dhunë fizike mbi të, duke e detyruar të prostituojë në Torino, për 3 vjet. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 03.11.2008, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i këtij shtetasi. Gjithashtu, po nga Italia mbërriti ditën e djeshme i kërkuari Përparim Sina. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr.17, datë 23.09.1998, e ka dënuar atë me 6 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”. Shtetasi Përparim Sina, më datë 27.03.1998, në portin detar të Durrësit, në bashkëpunim me Mariglen Bakian, kanë goditur me mjete të forta dhe më pas kanë vjedhur shumën prej 40 000 lekësh shtetasit E. K.