Dështon konferenca e OKB-së
29/05/2005 Pas gati katër javësh grindje dhe akuza të ndërsjella, dështoi konferenca e OKB-së për përmirësimin e marrëveshjes mbi ndalimin e armëve bërthamore. 188 shtetet pjesëmarrëse nuk mundën të bien dakord për një kontroll efikas të programit bërthamor dhe për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, vunë në dukje të deleguarit në Nju Jork. Pjesëmarrësit ishin të indinjuar për faktin, se SHBA, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe Kina, ndonëse kanë premtuar se do t´i asgjësojnë arsenalet e armëve bërthamore, deri më sot nuk e kanë vënë në jetë këtë premtim. Dështimi i konferencës ndodh në një kohë që kryesisht programet bërthamore të Iranit dhe të Koresë së Veriut kanë shkaktuar shqetësim në nivel ndërkombëtar.