E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vrasësi ishte nga Shqipëri e Mesme, Matranxhiun s’e njoh”

28/05/2005  Mbrojtje për të huajt, braktisje për dëshmitarët shqiptarë

“Ju lutem mos më fotografoni e filmoni, sepse kam frikë”

DURRES – Diferencimi i trajtimit të dëshmitarëve binte në sy dje gjatë seancës gjyqësore në ngarkim të Rizvan Matraxhiut, të akuzuarit për vrasjen e bashkëkombasit të tij në Londër, Dritan Përdoda.

Ndërsa dëhsmitarët anglezë, gjatë gjithë kohës së gjyqit, por edhe në sallë, shoqëroheshin e ruheshin nga agjentë të policisë shqiptare dhe të vendit prej nga ata vinin, i vetmi dëshmitar shqiptar Ermal Shehu, gjatë gjithë kohës ka qenë i vetëm, pa mbrojtje, aq sa ai është detyruar që gjatë dëshmisë së tij, t’i kërkojë gjykatës të mos fotografohej.

Megjithëse është thirrur nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, Ermal Shehu ka përshkuar rrugën nga Ballshi në Durrës dhe është kthyer përsëri në shtëpinë e tij pa masa mbrojtëse. Ndryshe nga dedektivët anglezë, të cilët kanë pasur jo vetëm agjentët e tyre, por edhe mbështetjen e policisë shqiptare, Shehu ka qenë në pozita krejt të ndryshme.

Para trupit gjykues, ai është betuar se do të dëshmojë vetëm të vërtetën, ndërkohë që gjatë gjithë dëshmisë, si dhe pyetjeve që i janë drejtuar, ai është mbuluar nga djersët, ndërsa ka kërkuar të mos filmohej e fotografohej. I stresuar për pozicionin, në të cilin ishte vendosur, Shehu, edhe pse i është kërkuar të fliste me zë të lartë, është dëgjuar me shumë vështirësi nga trupi gjykues vetëm pasi i është afruar një karrige pranë tyre. Emigranti ka mundur të qetësohet dhe të kthejë pa pushim një bidon ujë 1.5 litër vetëm në korridorin e gjykatës, ku edhe aty është ndier i frikësuar dhe ka lënë godinën e drejtësisë i pashoqëruar nga askush.

Ai ka përshkuar në këmbë të gjithë rrugën deri te stacioni i trenit dhe atje ka pritur linjën e furgonëve për t’u kthyer në shtëpi.

Dëshmia e Ermal Shehut, zbardh pengmarrjen e Përdodës për borxhe

DURRES – Një deklarimi i bërë nga një ish-emigrant shqiptar ka zbardhur jo pak rrethana, në lidhje me vrasjen e shqiptarit Dritan Përdoda në Angli, por ndërkohë ka krijuar dhe jo pak konfuzion pas deklarimit se vrasësi duhej të ishte nga Shqipëria e Mesme dhe jo nga veriu siç është Matranxhiu.

Para trupit gjykues, pas dedektivëve anglezë, është vënë emigranti shqiptar Ermal Shehu, i thirrur si dëshmitar i prokurorisë. Sipas organit të akuzës, Shehu, 23 vjeç, është pyetur nga policia angleze për vrasjen e Dritan Përdodës, gjatë kohës kur ai ka qenë emigrant në Londër dhe se emri i tij figuronte në materialet e përcjella nga drejtësia angleze për të zbardhur vrasjen e Përdodës.

“Shtegtimi” drejt Anglisë

Ermal Shehu, 23-vjeçari nga Ballshi ka deklaruar fillimisht mënyrën se si ka hyrë në Angli dhe kohën kur është kthyer në Shqipëri, ndërkohë që i ka dhënë drejtësisë shqiptare emrin e një shtetasi, i cili ka dijeni të plotë për autorin që ka vrarë Dritan Përdodën.

Ermal Shehu, mësohet se është futur në Angli nëpërmjet Francës në vitin 2000 dhe pasi i është vetëdorëzuar policisë londineze është prezantuar me emrin Gëzim Krasniqi, si shtetas nga Kosova. Ai ka qëndruar në veri të Londrës, ku edhe është njohur mes të tjerëve edhe me Matranxhin e Pëdrodën, deri në shtator të vitit 2004, kohë që është dëbuar nga autoritetet angleze më 13 shtator. Sipas pohimeve të tij, Shehu ka punuar në ndërtim dhe ditët e shtuna e të diela i kalonte në lokalin “Rimi” dhe në kazinonë pranë lokalit.

Pikërisht këtu, ai ka deklaruar se është njohur me Rimin, emri i të cilit ishte Hajredin Kelmendi. Njohja me këtë të fundit i ka dhënë mundësi të njihet me Dritan Përdodën, pasi Përdoda dhe Kelmendi njiheshin prej kohësh.

I riu, nga Ballshi, ka pohuar se në kazino e ka parë disa herë Përdodën, pasi ai luante dhe shpenzonte shuma të mëdha. Shehu ka ndërruar disa herë vendin e banimit dhe së fundi është vendosur në shtëpinë e Rimit. Pikërisht këtu, ai ka dëgjuar edhe një bisedë mes Përdodës dhe Kelmendit, duke pohuar se bëhej fjalë për një borxh që i pari i kishte Rimit.

Vrasja sipas Ermalit

“I gjeta në shtëpi kur u ktheva nga puna dhe mësova se Dritan Përdoda i kishte 400-500 paund borxh Rimit”, ka thënë Shehu. Sipas dëshmitarit, Rimi nuk e ka lejuar Përdodën të dalë nga shtëpia, pa i dhënë paratë dhe për këtë arsye Përdoda është detyruar t’i telefonojë dikujt.

“Nuk di me kë ka biseduar Dritani, por, pas pak kohe, dikush erdhi dhe Rimi e Dritani kanë dalë jashtë shtëpisë. Rimi u kthye kurse Dritani jo. Pasi e pyeta për Dritanin, i cili nuk u kthye më në shtëpi, Rimi më tha se ia kishte dhënë atij që ia solli paratë, pasi i kishte borxh një shumë parash. Unë nuk di për sa para bëhej fjalë, pasi Rimi nuk më tregoi dhe unë nuk e pyeta”, ka dëshmuar Shehu.

Para trupit gjykues dhe të arrestuarit Matranxhi, 23–vjeçari ka thënë se gjatë bisedës që ka dëgjuar kishte mësuar se Përdoda kishte lënë punën, ndërkohë që ballshioti ka pranuar t’i jap Përdodës adresën e tij për ta përdorur.

“Unë jam takuar me Përdodën disa herë, ndërsa takimi i fundit më të ka qenë diku nga fundi i muajit tetor të vitit 2003, kohë që Përdoda ka rezultuar i humbur për t’u gjetur i vdekur në periferi të Londrës, më 31 dhjetor 2003, rreth 5 km larg shtëpisë, ku viktima kishte të dashurën”, ka deklaruar Shehu.

Ditët pas vrasjes

Dëshmitari nga Ballshi ka deklaruar gjithashtu se i kishte parë Rimit (Hajredin Kelmendi), kartën e kreditit që përdorte Dritan Përdoda disa kohë pasi viktima është shkëmbyer si peng për dikë tjetër nga vet Rimi. Ky i fundit një ditë është takuar me tre emigrantë shqiptarë, njëri me moshë 25-27 vjeç dhe dy më të rinj. Bisedat mes palëve, Shehu është shprehur se, nuk i ka dëgjuar, por së bashku kanë hyrë në metro, ku 25-27 vjeçari ka bërë foto në një kabinë.

Rimi i ka bërë të ditur se pikërisht personi, i cili kishte bërë foto në metro, kishte vrarë Dritan Përdodën dhe se fotografia i duhej për të ikur në Shqipëri.

Ndërkohë, Ermal Shehu ka thënë dje se Rizvan Matranxhin nuk e ka parë asnjëherë. Sipas tij, nga copat e bisedave që ka dëgjuar mes Rimit dhe tre të rinjve, 25-27 vjeçari mund të ishte nga Shqipëria e Mesme.

Organet e drejtësisë së Durrësit, që gjykojnë kuksianin Rizvan Matranxhi, për akuzën e vrasjes së Dritan Përdodës, kanë pohuar se nuk kanë asnjë të dhënë për Rimin (Hajredin Kelmendi), pasi pala angleze nuk ka afruar të dhëna për këtë person, i cili nuk dihet nëse ka përdorë emrin e tij, apo ndonjë emër të rremë.

Provat e anglezëve

Matraxhiu është filmuar 3 kilometra larg vendngjarjes

DURRES - Të gjitha dëshmitë e deklaruara nga tre agjentët e policisë angleze, si dhe të një dëshmitari shqiptar, që ka qenë emigrant për disa vite në veri të Londrës, kanë çuar në përfundimin se shkak i vrasjes së Dritan Përdodës mund të jetë borxhi, që viktima u kishte emigrantëve.

Në seancën e dytë të dëshmisë, dedektivët anglezë kanë afruar prova materiale për të bindur trupin gjykues, të kryesuar nga Fejzo Hysi, se autor i vrasjes me dashje, është pikërisht Rizvan Matranxhiu.

Sipas prokurorit, Ilir Turja, akt-ekspertiza e kufomës, dokumenti i identifikimit të tij, përmes shenjave të gishtërinjve në zyrën e emigracionit, marrja e polemit, përgjimi i telefonatave të shokëve të Matranxhiut, fotot, kasetat, shiriti i kamerave që kanë kapur me shkelje rrugore automjetin e Matranxhiut ditën e vrasjes së Dritan Përdodës etj., janë prova që ngarkojnë më përgjegjësi penale Rizvan Matranxhiun, i arrestuar më datë 15 prill 2004, katër muaj pasi ai ka hyrë në Shqipëri.

Në seancën e djeshme, dedektivët anglezë kanë deklaruar se kamerat e vendosura në mbikalimet rrugore në rajonin verior të Londrës, ku është gjetur edhe kufoma e Dritan Përdodës, kanë filmuar makinën dhe vet Rizvan Matranxhin, që qarkullonte me shpejtësi mbi normat e lejuara.

Sipas përpiluesve anglezë të materialit përmbledhës, më datë 4 nëntor 2003, në ora 21.53, vetëm 3 kilometër larg pyllit, ku është gjetur viktima, autovetura e Matranxhit është filmuar me shpejtësi të madhe, pikërisht në rrugën që del nga pylli për të hyrë në rrugë kryesore.

Një tjetër e dhënë, e deklaruar dje nga dedektivët e huaj, ka qenë dhe pohimi i tyre se Matranxhiu kishte në përdorim celularin me nr. 7870320273, telefon i deklaruar në polici, si pronë e një shtetasi anglez, i cili kishte deponuar se i kishte humbur. Ata kanë thënë se, nga dëshmitë e mbledhura në Londër prej

emigrantëve shqiptarë, të cilët njihin si Matranxhiun edhe Përdodën, si dhe nga përgjimi i telefonatave rezulton se Matranxhi e ka marrë Përdodën në shtëpinë e Hajredin Kelmendit, ku ishte marrë peng për çështje borxhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›