E Hënë, 2 Nëntor 2026

Saktësim për ngjarjen te blloku me pasojë vdekjen

28/05/2005  TIRANË- Në lidhje me artikullin e datës 27 maj 2005, me titull "Polici masakron rojen e parkingut", sqarojmë opinionin publik se emri i autorit të ngjarjes është i pavërtetë, ndërsa të gjitha detajet e tjera janë korrekte. Konkretisht në artikull është shkruar se "Oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin numër 3, Agim Hoxha, masakron me grushta e shqelma rojen e parkingut para Bankës Amerikane, njëkohësisht edhe shitës i paketave", ndërsa në të vërtetë autori i ngjarjes është shtetasi Halit Shahini, 43 vjeç, tashmë i arrestuar. Kjo vërtetohet edhe në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës i cili thotë se "Nga punonjësit e Komisariatit Nr.1 u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Halit Asllan Shahini, 43 vjeç, lindur në Shijak e banues në Tiranë. Ky shtetas në rrugën “Ismail Qemali”, në "ish-bllok", pas një zënke të çastit me shtetasin Besnik Pashai, i ka shkaktuar atij plagosjen e rëndë dhe si pasojë e kësaj plagosjeje shtetasi B.Pashai ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak". Ngatërresa në dhënien e këtij informacioni qëndron në faktin se disa burime zyrtare të policisë së Tiranës, bënë të ditur këtë emër, duke pasur parasysh një tjetër ngjarje, që kishte ndodhur në ambientet e brendshme të komisariatit numër 3, ku oficerin e policisë gjyqësore, Agim Hoxha e kishte kundërshtuar një person i quajtur Tansel Korça, 28 vjeç, nga Tirana. Pakujdesia në përcjelljen e informacionit nga burimet policore shkaktoi pasaktësinë e lajmit, detajet e të cilit janë të vërteta, përveç emrit të personit që goditi me grushta të ndjerin Besnik Pasha. I kërkojmë ndjesë oficerit të policisë gjyqësore në komisariatin numër 3, Agim Hoxha dhe të afërmve të tij për shqetësimin e shkaktuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›