Meta: Pas 28 qershorit, politika punësimi
Meta zhvilloi një bashkëbisedim me dhjetëra të papunë, tek sheshi “Ushtari i Panjohur” ku qëndrojnë çdo ditë për orë të tëra, duke pritur ofertën e radhës për punë. Lideri i LSI dëgjoi problemet dhe hallet e të papunëve dhe premtoi se më 29 qershor “Qeveria jonë, do të punojë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të punojnë”. Duke folur me të papunët, Meta u shpreh se: “Jo rastësisht jam sot këtu, pranë këtij monumenti që është një simbol i rëndësishëm për çlirimin e Tiranës dhe Shqipërisë, “Ushtarit të Panjohur”, por që sot më shumë është simbol i papunësisë dhe varfërisë në Shqipëri”. Më tej, Meta garantoi se: “Ne jemi të angazhuar që kësaj varfërie në rritje, t’i përgjigjemi me prioritetin tonë kryesor, që e kam theksuar, dhe që është punësimi, punësimi dhe vetëm punësimi. Punësim jetik për të gjithë ata që nuk kanë asnjë pagë apo të ardhur në familjet e tyre dhe punësimi si politika kryesore sociale, që ka të bëjë me lehtësira për të gjithë bizneset e reja që krijohen në vend. Por dhe do të krijohen lehtësi fiskale për çdo vend të ri pune që do të hapet në bizneset ekzistuese. Sipas kreut të LSI-së në 29 qershor shqiptarët duhet të sjellin një qeveri, e cila do të punojë që shqiptarët të punojnë, jo qeveri që do punojë për kryeministrin dhe për qeveritarët e tij në mënyrë që shqiptarët të vriten si në Gërdec”. Edhe atje për bukën e gojës duke numëruar predhat nënat e fëmijët, apo të rrinë këtu në mes të këtij të ftohti për të shpresuar që dikush do t’i marrë në punë, qoftë dhe për disa orë.