PS: Berisha, kryeministri që iu dha prona vetëm familjarëve të tij
Partia Socialiste reagoi dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha për kompensimin e ish-pronarëve me troje në zonat turistike. Në një konferencë për shtyp, pak minuta pasi kreu i Ekzekutivit bëri të ditur iniciativën e fundit të qeverisë, anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ilir Gjoni, tha se kreu i qeverisë do të mbahet mend vetëm si kryeministri që pasuroi familjarët dhe miqtë e tij të afërt. “Partia Socialiste del sot me këtë deklaratë për të denoncuar edhe një herë mashtrimin e radhës së Kryeministrit Berisha, lidhur me pronat në përgjithësi dhe pronarët e vjetër në veçanti. Në qoftë se ka një qeveri që ka abuzuar me të drejtën e pronës dhe me pronarët e vjetër, është qeveria e Sali Berishës, i cili do të mbahet mend si Kryeministri që pronësoi e pasuroi familjen dhe miqtë e familjes, ndërkohë që korrupsioni me pronat publike e private në qeverinë e tij kapi nivele të frikshme”, tha Gjoni. Në të njëjtën kohë Partia Socialiste i kërkoi kreut të qeverisë që në këto muaj që kanë ngelur nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme, të përqendrohet te standardet për këtë proces. “Ne i kërkojmë Sali Berishës të fokusohet te garantimi i të drejtës së votës në 28 qershor, sepse pronarët e vjetër, ashtu si gjithë shqiptarët, nuk presin asgjë nga Sali Berisha, veç daljes së tij nga zyra, ku nuk ua ka zgjidhur, por ua ka shtuar hallet”, u shpreh më tej Gjoni.