Dështon mbledhja e këshillit bashkiak
Ka dështuar mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Elbasanit. “Nuk është siguruar kuorumi i nevojshëm për të vazhduar sipas ligjit mbledhjet e këtij këshilli, prandaj detyrohem ta anuloj këtë mbledhje për ta zhvilluar në një datë tjetër të pacaktuar”, ka deklaruar kreu i këtij këshilli, Eugen Isai, ndërsa ka parë gjysmën e karrigeve bosh të sallës së mbledhjeve, që prej kohësh ndodhet në hotel “Skampa”, në mungesë të sallës në godinën bashkiake që po riparohet. Mes debatesh, përfaqësuesi i PDU-së, Kujtim Hasbiu, ka pohuar: “Ju lutem këshilltarëve që pinë ujë në këtë sallë me kondicioner, të kalojmë në parim vendimin e ndihmës ekonomike për ata persona që presin nga ne 4-5 mijë lekë vetëm për bukë thatë”, gjë që nuk është kundërshtuar nga këshilltarët e pranishëm. Ndërkohë, kryekëshilltari Isai, duke sjellë shembuj të këshilltarëve që kanë munguar në këtë organ vendimor deri në gjashtë muaj, ka kërkuar mbledhjen e kryesisë së këshillit bashkiak për të marrë qoftë edhe masën ekstreme të votimit për pavlefshmëri mandati. Mbledhja, pa miratimin e dhjetë pikave të rendit të ditës, është mbyllur për dhjetë minuta vetëm me miratimin në parim të ndihmës ekonomike për muajt korrik dhe gusht. Sipas informacionit të drejtpërdrejtë nga ky këshill, ata që munguan dhe që e kanë kthyer në zakon këtë mungesë, ishin këshilltarë të dy forcave kryesore politike, PD dhe PS. Për mbledhjen e radhës nuk u përcaktua asnjë datë.
#