Kosova, sërish lajm kryesor i mediave botërore
Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, ka lajmëruar menjëherë të gjitha agjencitë kryesore të lajmeve në botë dhe mediat e tjera. Lajmin e dhanë me urgjencë BBC, CNN, agjencia “Reuters”, AP, “France Press” dhe “Xinhua” e Kinës, e cila ka lajmëruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa AP shtonte se tashmë do të forcohen përpjekjet për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Edhe televizioni austriak ORF e ka transmetuar si lajm kryesor mendimin e GJND-së e po kështu kanë vepruar edhe botimet elektronike të gazetave të përditshme austriake. Sipas gazetës gjermane “Velt”, vendimi i GJND-së do të mund të kishte “ndikim në një sërë lëvizjes separatiste anembanë botës”. Agjencitë ruse të lajmeve me shenjën e urgjencës kanë publikuar mendimin e GJND-së. “Itar-tas” ka shkruar se gjykata e ka njohur legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kurse RIA-Novosti ka shkruar shkurt se GJND-ja njohu pavarësinë e Kosovës. Portali “Newsru.com” ka vlerësuar se GJND-ja “nuk ka mbajtur anën e Serbisë” dhe ka vlerësuar se “në shkëputjen e Kosovës nuk ka gjetur asgjë jashtëligjore”. Mediat polake e çeke kanë thënë se ky mendim është nxitje për njohje të reja të Kosovës. "Haga ka vendosur: Kosova mbetet e pavarur", njoftoi kanali televiziv publik çek “ČT24”.
#