E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia shpreh pakënaqësinë ndaj gjykatës

Jeremiçi kritikon GJND-në, se iu shmang “çështjes thelbësore”

Mbas shpalljes dje (më 22 korrik) të mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës, se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të OKB-së dhe as rendin juridik ndërkombëtar në Kosovë, ndër të parët që reagoi, vetëkuptohet, ishte ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili u përpoq ta devijonte thelbin e rëndësishëm të mendimit të lartpërmendur, duke e kritikuar GJND-në se kjo gjykatë iu shmang shprehjes së mendimit për “çështjen thelbësore”, nëse shqiptarët e Kosovës kishin të drejtë “në përpjekjen e tyre për shkëputjen nga Serbia”. Sikurse bën të ditur media serbe, shefi i diplomacisë serbe deklaroi sot para gazetarëve, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së në Pallatin e Paqes në Hagë, se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që të shprehej vetëm në kuptimin teknik për shpalljen e pavarësisë nga ana e shqiptarëve kosovarë dhe, në këtë mënyrë, praktikisht iu shmang shprehjes së mendimit për çështjen thelbësore nëse ata kishin të drejtën në përpjekjen separatiste nga Serbia”. Ai vuri në dukje se hapi tjetër është diskutimi i mendimit konsultativ të GJND-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që e kishte kërkuar këtë mendim dhe që në muajin shtator do të dalë me një konkluzion politik për këtë çështje. “Kam bindjen se gjatë diskutimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për mendimin e GJND-së do të konfirmohet drejtësia e politikës së Serbisë. Politika e saj nuk do të ndryshojë dhe ajo do të mbesë një politikë paqedashëse që mbështetet mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare. Sot në gjykatë nuk dëgjuam asgjë lidhur me atë nëse dikush ka të drejtë shkëputjeje në një mënyrë të njëanshme. Ky debat është politik dhe duhet të zhvillohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, theksoi ai. Ministri i Jashtëm serb ritheksoi se Serbia “asnjëherë nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe se ajo do ta vazhdojë politikën e vet parimore përmes luftës politike e diplomatike paqësore për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit”. Pyetjes së një gazetari shqiptar, nëse priste ai tani njohje të reja të pavarësisë së Kosovës nga ana e atyre vendeve të BE-së që nuk e kishin njohur deri tani Kosovën, Jeremiçi iu përgjigj, duke thënë se “është e drejta sovrane e të gjitha shteteve që të vendosin vetë për qëndrimet e tyre. Sidoqoftë, nuk pres që mbas shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së disa nga shtetet më të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të ndryshojnë qëndrim. Mbetet që të shihet se çfarë do të ndodhë”, vuri në dukje ministri i Jashtëm serb.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›