Partizani, zyrtarizohet Zhupa
Edmond Zhupa emërohet zyrtarisht në krye të stolit të Partizanit. Akordi parimor ndërmjet trajnerit dhe presidentit Albert Xhani ishte gjetur prej disa ditësh, megjithatë vetëm dje atij i është dorëzuar "timoni" i ekipit. Ish-zëvendësi i Artan Bushatit në përfaqësuesen U-21 kthehet në klubin e kuq në një moment mjaft të vështirë. Skuadra, e cila gjatë sezonit të ardhshëm do të luajë në Kategorinë I, vazhdon të vuajë situatën e paqartë financiare. Përveç deklaratave për shlyerjen e pagave të një viti dhe gjetjes së fondeve për edicionin e ardhshëm, Xhani ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete. Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar që të paraqesë objektiva ambicioze për merkaton e verës. Sipas burimeve pranë klubit, objektivi kryesor është mbajtja e grupit aktual të lojtarëve, të cilët me kalimin e ditëve po humbasin durimin dhe janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat nga skuadrat e tjera. Gjithashtu, në merkato do të synohet edhe afrimi i emrave të njohur në kampionatin shqiptar. Treshja Ahmataj, Ardit Beqiri e Bejzade, të cilët në sezonin e kaluar ishin pjesë e Elbasanit, shihet si boshti i së ardhmes. Po ashtu flitet edhe për tentativa të presidentit që të rikthejë portierin Orges Shehi. "Gardiani" priti më kot Xhanin që të paguante skuadrën e vitit të kaluar dhe të krijonte siguri financiare, deri sa më në fund pranoi ofertën e Besës së Kavajës. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar sa të vërteta janë këto spekulime. Problemeve financiare të "demave" u shtohet edhe fakti që ata nuk do të jenë pjesë e Superiores (ashtu si shpresohej deri më tani). Natyrisht që Shehi nuk do të ishte i gatshëm të luante edhe një tjetër vit për "bamirësi", ndërsa Bejzade, Beqiri e Ahmataj presin telefonata nga klubet elitare.