E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon seanca e parë e "Gërdeci II"

 

TIRANE - Fillon me një seancë të dështuar procesi gjyqësor i dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Tiranës. Seanca e parë e këtij procesi në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit, e caktuar për t'u zhvilluar ditën e djeshme, u shty për në datën 23 korrik. Shkak i shtyrjes u bë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Gjithashtu disa tyre nuk kishin marrë njoftim zyrtar nga Gjykata, ndërsa nuk mungonin as problemet në prokurat e avokatëve që ishin prezentë. Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, me anëtarë gjyqtaret Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari, zhvilloi dje seancën në një nga sallat e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. Marrja "borxh" e kësaj salle u bë për shkak të numrit të madh të të pandehurve dhe mungesës së një salle me kapacitet të madh në dhomën Penale. Ndërsa pesë prokurorët e çështjes ndodheshin në sallë, e kundërta ndodhte nga pala e të akuzuarve dhe mbrojtësve ligjorë të tyre, një pjesë e mirë e të cilëve nuk ishin prezentë. Kafazi ku duhet të ishin katër të arrestuarit e kësaj dosjeje, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci, ishte e boshatisur dje, pasi të gjithë ata kishin zgjedhur të mos paraqiteshin në seancë. Vendimi veçoi çështjen në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes "Gërdeci", nga gjykimi në Gjykatën e Lartë u shpall nga togat e zeza të kësaj gjykatë më 2 maj. Sipas këtij vendimi, në Gjykatën e Lartë do të gjykohet vetëm ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndërsa seanca e djeshme në Gjykatën e Tiranës, dështoi, gjykimi i kësaj dosjeje në Gjykatën e Lartë ka dështuar dy herë më radhë. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, në mars të vitit 2008 u vranë 26 persona, ndërsa u plagosën 300 të tjerë.                                        ar.ba 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›