Dy grupe,terror me armë në qytet
ELBASAN - Shkëmbim zjarri mes dy grupe të rinjsh në mes të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së martës. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë konflikt me armë. Bëhet fjalë për pesë të rinj, të cilët një natë përpara konfliktit me armë ishin përleshur me mjete rrethanore, por pa pasoja. Mësohet se Aldo Deliu, 20 vjeç dhe Armando Zeqaj, 19 vjeç kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre me targa të huaja në drejtim të shtëpisë së kulturës. Ata kanë parë aty tre të rinjtë me të cilët ishin përleshur një natë më parë. Deliu ka ndaluar mjetin që drejtonte dhe i ka kërkuar 19-vjeçarit Sued Koka që të afrohej tek mjeti. Më pas ai ka nxjerrë një pistoletë duke e goditur atë me qytën e armës. Në këtë moment, dy shokët e Kokës, Bobjan Fidani, 20 vjeç dhe Arlind Gjevori, 19 vjeç kanë qëlluar me armë në drejtim të mjetit në të cilën ndodheshin Deliu dhe Zeqaj. Por këta të fundit janë larguar, ndërsa dyshohet të kenë qëlluar edhe ata me armë. Të shtënat kanë tërhequr vëmendjen e policisë, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Gjatë hetimeve dhe ekspertimit të vendit të ngjarjes u gjetën 5 gëzhoja që dyshohet të jenë të armëve që kanë përdorur dy grupet e të rinjve. Ata janë shpallur në kërkim, ndërsa u akuzuan për vrasje me dashje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. a.k