Përgjaket festa e maturës, vdes në një aksident 18-vjeçari
Përfundon tragjikisht festa e maturës për tre të rinj nga Tirana. Teksa ktheheshin nga festa që kishte zgjatur thuajse gjithë natën në një nga komplekset turistike të Durrësit, maturantët Klajdi Nina, A.L dhe M.D, që të tre 18-vjeçarë kanë pësuar aksident të rëndë. Për pasojë, Klajdi Nina, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit me targë TR 42 41 e tipit "Alfa Romeo" ka gjetur vdekjen, ndërsa ndodhen në rrezik për jetën dy bashkëmoshatarët e tij. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi dje rreth orës 04:00 kur mjeti me të cilin ata po udhëtonin ka dalë nga rruga duke u përplasur me trafikndarësen e betonit. "Gjimnazisti 18-vjeçar Klajdi Nina, nga Tirana ka gjetur vdekjen 30 minuta pas aksidentit. E rëndë paraqitet gjendja edhe për dy të plagosurit e tjerë me inicialet A.L dhe maturantja M.D", bëri të ditur policia. Pas aksidentit, tre të plagosurit rëndë mësohet se janë dërguar në Spitalin e Durrësit, por 18-vjeçari Nina nuk ka mundur t'i mbijetojë aksidentit. Ngjarja ka ndodhur në mbikalimin e "Urës së Dajlanit". Autovetura, e cila dyshohet se ka qenë në lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara ka dalë jashtë kontrollit. Fillimisht është përplasur me beton-ndarësen dhe më pas ka vijuar një trajektore të çrregullt brenda korsisë, sa në njërën anë ashtu edhe në tjetrën. Gjurmët e përplasjes janë të dukshme mbi trafikndarëse. Ndonëse shoferi ka tentuar të frenojë, mjeti ka vijuar edhe për afro 20 metra përplasjet zinxhir. Tre nxënësit ashtu sikurse është bërë traditë së fundmi nga durrsakët dhe tiranasit po e festonin mbrëmjen e fundit të gjimnazit në një kompleks turistik të plazhit. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia, por po hetohet dhe dyshimi nëse maturantët kanë qenë në gjendje të dehur. Një aksident i rëndë ndodhi dje rreth orës 06:00 edhe në aksin Qafë Mali-Bajram Curri ku rrezikuan jetën tre punonjës të policisë. Gjatë patrullimit, furgoni i policisë është përplasur me mjetin tip fuoristradë me targë BC 0900 B. Për pasojë, tre punonjësit e grupit të gatshëm të Pukës pësuan plagë të rënda. Ata u dërguan menjëherë në spitalin e këtij rrethi ku pas ndihmës së parë kaluan rrezikun për jetën. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur kthesa e Mziut, e cila njihet si një zonë shumë e rrezikshme, ku kanë ndodhur një sërë aksidentesh me pasoja të rënda. Policia tha se shkak i aksidentit ka qenë edhe rruga e ngushtë në të cilën lëvizte mjeti i policisë dhe fuoristrada. o.u.