Sportelet e migracionit, 36 paketa informuese
Nxitje të migracionit të rregullt për motive punësimi si forcim të kapaciteteve kombëtare për të menaxhuar siç duhet problematikat. Këtë synon projekti “Ngritja e Kapaciteteve, Rritja e Shkallës së Informimit dhe Ndërgjegjësimit për Nxitjen e Emigracionit të Rregullt në Ballkanin Perëndimor”. Një tjetër qëllim i tij është forcimi i rrjetit të lidhjeve dhe dialogut mbi migracionin për qëllime punësimi ndërmjet qeverive dhe aktorëve të tjerë përkatës në Ballkanin Perëndimor dhe vendeve të parapëlqyera të destinacionit, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së dhe Zvicrës. Në vendin tonë në përputhje me masën 40 të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, është bërë e mundur dhënia e shërbimit të informacionit, referimit dhe këshillimit për migrantët, që nga qershori 2008. Kjo nëpërmjet Sporteleve të Migracionit të njohura si “Qendra të Shërbimit për Migrantët” (QSHM-ve) të ngritura brenda rrjetit të Drejtorive/Zyrave Rajonale të Punësimit. Janë 36 paketa informuese për shtetet, të përkthyera në gjuhën shqipe janë të disponueshme për migrantët, gjithashtu edhe në faqen e web: www.migrantservicecentres.org të mundësuar nga ky projekt. Nga muaji maj kanë nisur sesionet trajnimit shtesë për punonjësit që mbulojnë shërbimet e Sporteleve të Migracionit. Ky proces do të vazhdojë deri në dhjetor të këtij viti. Ndërsa për të identifikuar me lehtësi shërbimet e ofruara, sportelet do të pajisen me një tabelë me mbishkrimin “Sporteli i Migracionit”.