E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanë e të krishterë, rite bashkë në një qeli

 

Armand Bajrami

Myslimanë e të krishterë i luten Zotit në të njëjtin vend. Ngjarja nuk ndodh në ndonjë vend të shenjtë apo objekt kulti, por në burgun e Korçës dhe ka për protagonistë të burgosurit dhe të paraburgosurit që mbahen aty. Personat që vuajnë dënimin në këtë institucion, myslimanë e të krishterë, falen dhe luten në të njëjtin ambient të vetëm të përbashkët. Lajmi bëhet i ditur nga një raport i Avokatit të Popullit për ambientet e burgimit dhe paraburgimit në Burgun e Korçës. Në një nga pikat e raportit Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, pohon se në këtë burg disponohet vetëm një ambient i madh shërbesash fetare, që funksion i përbashkët për të gjitha besimet. Ndërsa në rekomandimin dërguar pak ditë më parë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Drejtorit të burgut të Korçës, Dobjani propozon ndarjen e këtij ambienti në dy të tillë, për t'u dhënë atyre më shumë veçori dhe tipare të besimeve përkatëse.
KISHA DHE XHAMIA
Teksa inspektorët e Avokatit të Popullit kanë qenë duke kaluar në "sitë" të gjitha ambientet e burgut të Korçës, janë përballur edhe me ambientin që përdorej për rite kulti, edhe si kishë edhe si xhami. "Gjatë inspektimit të kryer u konstatua se I.E.V.P Korçë dispononte një ambient të madh për shërbime kulti, cili funksiononte i përbashkët për të gjitha besimet", thuhej në raportin e AP-së. Sipas raportit, ambienti kishte dy dyer hyrëse dhe dalëse. "Avokati i Popullit propozon që me një investim simbolik ky ambient të ndahet në dy pjesë, për t`i dhënë më shumë veçori dhe tipare të individualizuara ambienteve të besimit kristian dhe atij mysliman", pohonte Dobjani në raport. Në pikën 8 të rekomandimit të dërguar kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibrës, Drejtorit të Burgut të Korçës, Petrit Bazelli, të cilin ia bën me dijeni dhe Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, Dobjani rekomandon "marrjen e masave për ndarjen e ambientit të kultit në dy salla, ku të sigurohet ushtrimi i besimit Kristian dhe Musliman në dy ambiente të veçanta".
INSPEKTIMI
Inspektimi i Avokati i Popullit në Burgun e Korçës nxori në pah një sërë problematikash në lidhje me kushtet dhe trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve në këtë institucion.
Ndërsa nuk kishte mbipopullim të ambienteve, në I.E.V.P Korçë u vu re mungesa e një mjeku neurolog/psikiatër dhe i një psikologu. "Shtrohet si detyrë emer-gjente punësimi i këtyre specialiteteve, si garanci për trajtimin më të mirë shëndetësor dhe psiko-social në favor të të dënuarve dhe të paraburgosurve", theksonte AP. Gjithashtu në lidhje me gjendjen e godinës dhe të ambienteve të reja të burgut, sipas Avokatit të Popullit ka nevojë për investime të reja, të cilat do të mundësojnë që ky institucion të përmbushë standardet e kërkuara të një burgu bashkëkohor. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›