E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet nga qelia i dënuari me 25 vjet për vrasje

 

BURREL - Rikthehen konfliktet mes Prokurorisë dhe Gjykatës së Matit. Lirimi i një të burgosuri nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat ka sjellë kundërshtimin e organit të akuzës. Të martën, gjyqtari Artan Çupi ka vendosur lirimin nga burgu të dënuarit me 25 vjet heqje lirie Nush Paloka. Në vjeshtën e vitit 1996 ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy djemtë e vëllait të tij në Shkodër, për motive të dobëta. Gjykatat e të gjitha shkallëve e dënuan atë me burgim të përjetshëm. Më 13 mars të vitit 1997 si shumë të dënuar të tjerë edhe Paloka largohet nga burgu i Burrelit, pas shpartallimit të tij nga vetë të dënuarit. Një vit më vonë ai rikthehet me dëshirë në qelitë e burgut të Burrelit dhe ku veprim i tij amnistohet. Nga burgim i përjetshëm, dënimi për Nush Palokën kalon me 25 vjet heqje lirie. Një vit më parë ai i kërkon Gjykatës së Burrelit lirimin e tij nga burgu, me pretendimin se ka probleme shëndetësore. Gjykata hodhi poshtë kërkesën e Palokës, duke e konsideruar atë të pabazuar në ligj e prova. Ndërkohë, ditë më parë i burgosuri në fjalë kërkon sërish nga Gjykata e Matit lirimin nga burgu për arsye shëndetësore. Paloka paraqet para trupit gjykues një raport mjekësor ku tregohen problemet që ai ka. Në seancën e zhvilluar dje ekspertët mjeko-ligjorë janë shprehur se i dënuari mund të sistemohet në spitalin e burgut Krujë ose Tiranë, por jo të lirohet nga burgu, pasi sërish mund të shfaqë probleme për shoqërinë. Edhe prokurori i çështjes A. Muça ka këmbëngulur dhe ka kërkuar që kërkesa e të burgosurit të mos pranohet. Ndërkohë, prokurori është shprehur në një linjë me ekspertët mjeko-ligjorë, duke kërkuar kalimin e 65-vjeçarit nga burgu i sigurisë së lartë Burrel në një nga spitalet e burgjeve shqiptare. Ndërkaq, gjyqtari Artan Çupi ka vendosur lirimin e tij nga burgu dhe kthimin pranë familjes. Prokurori i çështjes deklaroi se do ta apelojë vendimin e Gjykatës Mat dhe do të kërkojë rikthimin e të dënuarit për vrasjen e dyfishtë në burg.                                      h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›