Tritol fuoristradës së ish-drejtorit të bashkisë
FATOS MAHMUTAJ
Shpërthen para derës së Parlamentit makina e ish-drejtorit të Bashkisë së Tiranës.Shpërthimi i fortë që tronditi mbrëmë kryeqytetin ka ndodhur rreth orës 22:50 në rrugën "George Bush", përballë lulishtes së Parlamentit, ndërsa mjeti fuoristradë, prodhim kinez me targa të Tiranës ka shpërthyer në pjesën e përparme të tij. Në këtë zonë, veç godinës së Parlamentit, ndodhen selitë e dy partive, Komuniteti Mysliman dhe mjediset e disa aktiviteteve private. Të alarmuar nga shpërthimi, banorët i kanë telefonuar policisë dhe zjarrfikësve, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash. Si pasojë e shpërthimit mjeti është ndezur në flakë, por ndërhyrja në kohë ka bërë që flakët të fikeshin menjëherë duke mos shkaktuar dëme. Pas kësaj në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertët e kriminalistikës së policisë, të cilët kanë nisur këqyrjen e vendngjarjes. Dëshmitarë nga vendngjarja pohojnë se mjeti në momentin e shpërthimit ishte parkuar para derës së një bar-kafe. Atë moment ka pasur shumë pak lëvizje mjetesh dhe këmbësorësh në rrugë, ndërsa para fuoristradës ndodhej e parkuar një autoveturë tjetër. Mësohet se edhe pronari i mjetit nuk ndodhej aty. Shpërthimi i fortë ka tmerruar banorët e lagjes, të cilët kanë braktisur banesat. I vetmi dëshmitar okular i ngjarjes ishte pronari i një studio fotografike, i cili ndodhej duke mbyllur qepenin e dyqanit të vet, ngjitur me pjesën e pasme të makinës që shpërtheu. Fatmirësisht ky ka shpëtuar pa dëmtime të rënda, veç disa gërvishtje në krah, ndërsa eksplozioni ka dëmtuar motorin, e mjetit, kapakun prej llamarine të përparme dhe tendën e qepenin e lokalit para të cilit ishte parkuar. Dëshmitari pas kësaj është shoqëruar në polici për të dhënë deklarime para hetuesve të ngjarjes. Burime policore pohuan mbrëmë se po hetonin paraprakisht në dy pista për shpërthimin. E para, të cilës po i mëshohej më fort nga ana e hetuesve ishte shpërthimi i një sasie eksplozivi. Sipas policisë mendohet se sasia e eksplozivit ishte vendosur në pjesën e motorit të mjetit. Ende nuk dihet se cilët mund të kenë qenë shkaqet e vendosjes së lëndës shpërthyese. Pista e dytë e eksplozionit dyshohet të jetë shpërthimi i baterisë së mjetit. Të paktën ekspertët në vendngjarje kanë konstatuar dëmtim total të baterisë dhe detaleve të tjera që ndodheshin në pjesën e përparme të makinës. Burime pranë hetimit pohojnë se mjeti i shpërthyer me targa TR 3838 M rezulton të jetë regjistruar në emër të firmës "Galaxy Motors Palace". Nga kjo kompani e ka blerë me koncesion Bernardin Ujka, ish-drejtori i Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin pranë Bashkisë së Tiranës, i cili tashmë drejton një aktivitet privat.