Dështon sërish privatizimi i INSIG-ut, afati shtyhet më 31 dhjetor 2008
61 për qind e aksioneve të kompanisë i kalojnë investitorëve strategjikë. IFC-ja dhe BERZH-i do të administrojnë vetëm 39 për qind të tyre
Ervin Koçi
Qeveria ka vendosur që të shtyjë privatizimin e kompanisë më të mëdha shtetërore të sigurimeve INSIG, blerësve strategjikë. Ky ishte vendimi i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili ka miratuar dje projektligjin e qeverisë "Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG sh.a., ndërmjet Ministrisë së Financave, që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)". Sipas këtij vendimi, privatizimi i kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG do të shtyhet deri në fund të këtij viti. Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare shtyn afatin e privatizimit të kësaj kompanie. Procesi i shitjes ka nisur që në vitin 2003, por deri tani ka dështuar për shkak të mungesës së interesit. Pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi edhe formulën e privatizimit të INSIG-ut, sipas së cilës 61 për qind e aksioneve do t’i kalojnë investitorëve strategjikë, ndërsa pjesa tjetër mbeten në pronësi të institucioneve financiare ndërkombëtare, IFC dhe BERZH.
Shtyrja e privatizimit
Qëllimi i këtij projektligji për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së mësipërme synon shtyrjen e afatit të përfundimit të procedurave për identifikimin e investitorit strategjik, të pranueshëm për BERZH-in dhe IFC-në, deri në dhjetor 2008. Nëpërmjet kësaj shtyrjeje shmanget rishitja /kthim i aksioneve të BERZH-it dhe IFC-së, Ministrisë së Financave, kusht i përcaktuar në marrëveshjen e rishitjes së aksioneve. Për shtyrjen e afatit IFC dhe BERZH-i pranojnë të mos aplikojnë të drejtën e tyre për t'ia rishitur aksionet Ministrisë së Financave, nëse afati i privatizimit shtyhet deri në dhjetor 2008, me kusht që ndryshimet ligjore të ratifikohen në Kuvend brenda datës 31 mars 2008. Përsa më sipër, duke mirëkuptuar dhe vlerësuar kushtet specifike të këtij procesi dhe për një garantim të përfundimit me sukses të tij, Ministria e Financave propozon si afat të përfundimit të këtij procesi datën 31 dhjetor 2008. Miratimi me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji siguron përfundimin me sukses të privatizimit të INSIG sh.a, duke realizuar kështu edhe njërën nga objektivat politike të rëndësishme të programit të qeverisë shqiptare.
Relacioni
Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, 61 për qind e aksioneve u ofrohen për shitje investitorëve strategjikë, të cilët përzgjidhen në bazë të procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave, me tender të hapur ndërkombëtar, brenda datës 31 dhjetor 2008. Në zbatim të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG sh.a, fillon menjëherë procedura e nevojshme ligjore për përzgjedhjen e këshilltarit ligjor, që do të përgatisë termat e referencës. Në zbatim të ligjit për prokurimin publik, për një proces transparent u shpall tenderi ndërkombëtar, për përzgjedhjen e këshilltarit ligjor të privatizimit të INSIG sh.a. Duke pasur parasysh afatet e parashikuara në ligj për kryerjen e procedurave të nevojshme, rastet e rishpalljes për mosparaqitje të numrit minimal të ofertave apo ankesat e ndryshme në APP-së, nga subjektet e interesuara, u krijuan vonesa për përfundimin e procesit brenda vitit 2007. Në këto kushte, Ministria e Financave për të garantuar përfundimin me sukses të këtij procesi propozoi si afat përfundimtar të këtij procesi fundin e dhjetorit të 2008-s.
5 Mars 2008