E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Avokati i Popullit kërkon referendum

Debati mbi reformën zgjedhore duket se ka prekur edhe një pjesë të institucioneve në vend. Avokati i Popullit, me anë të një letre drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar që për zgjedhjen e sistemit zgjedhor të zhvillohet referendum popullor. Kreu i këtij institucioni, Emir Dobjani, e ka shpjeguar këtë kërkesë si një mundësi e mirë për t’i pyetur direkt qytetarët për sistemin që ata dëshirojë për të votuar përfaqësuesit në Kuvend. Qytetarët shqiptarë, përveç vitit 1998, kur u mbajt referendumi i Kushtetutës, nuk janë pyetur në formë direkte. Këtë ide e dha i pari kryetari i Grupit Parlamentar Republikan, Arian Madhi, i cili u shpreh se një referendum do të ishte i domosdoshëm për t’u dhënë fund debateve të panevojshme në debatin e fundit. Presidenti i Republikës nuk është shprehur ende në lidhje me këtë letër, por u shpreh për mediat se debati duhet të merrte fund sa më shpejt. “Gjithmonë ka pasur debat në funksion të reformave elektorale. Gjithmonë do të ketë debat, debati është i mirëpritur, por problemi është që debati ta ketë një fund, sepse në çdo lloj debati, sidomos të kësaj natyre, ka një proces të natyrshëm, ka edhe një produkt, dhe produkti duhet të vijë sa më shpejt për dy arsye”, - është shprehur presidenti. Komisioni Qendror Zgjedhor është autoriteti që duhet të vendosë mbi mundësinë e mbajtjes së një referendumi.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›