Sigurimi i digave, Japonia jep grantin 950 mijë USD
Sigurimi i digave të hidrocentraleve do të bëhet me anë të një ndihme që do të vijë prej qeverisë japoneze. Banka Botërore dhe Ministria e Financave firmosën dje marrëveshjen për një grant prej 950 000 USD, që do të ndihmojë përgatitjen e Programit të Energjisë Komunitare për Europën Juglindore, që në Shqipëri do të mbështesë projektin e Sigurisë së Digave. Ky grant financohet nga qeveria japoneze përmes Fondit të Zhvillimit të Politikave dhe Burimeve Njerëzore. Fondi është themeluar në 1990-n si një partneritet i qeverisë japoneze me Bankën Botërore. Në emër të qeverisë shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Japonisë në Shqipëri, Bujar Dida, si dhe anëtare të ekipit përgatitor të projektit nga Banka Botërore. Projekti është në serinë e investimeve që kanë si synim zhvillimin e një tregu funksional rajonal të energjisë në Europën Juglindore përmes kryerjes së investimeve prioritare që mbështesin tregun e energjisë dhe sistemet operacionale të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe asistencës teknike për zhvillimin e sistemeve institucionale, përgatitjes dhe zbatimit të projekteve. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, ky projekt synon ruajtjen e hidrocentraleve ekzistues të mëdhenj në Shqipëri dhe nxitjen e investimeve private në prodhimin e energjisë përmes HEC-eve. KESH-i do të jetë ndërkohë agjencia zbatuese e këtij granti.
5 Mars 2008