Reforma zgjedhore, PS-LSI shumë larg konsensusit
Blendi Klosi: “LSI-ja të rikthehet në kampin opozitar”. Vasili: “PS-ja të mos bëjë ftesa fiktive, të vijë në Komisionin e Reformës Zgjedhore”
Shaban Sulçe
Vazhdon debati midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dje, Partia Socialiste, me anë të sekretarit Organizativ të saj, Blendi Klosi, i ka bërë thirrje LSI-së për t’iu rikthyer sërish bashkëpunimit me PS-në. Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së me anë të sekretarit të Përgjithshëm të saj, Petrit Vasili. Vasili i është kundërpërgjigjur PS-së që të lërë mënjanë ftesat fiktive në publik, por të bashkëpunojë me anë të rrugëve institucionale për të zgjidhur mosmarrëveshjet për reformën zgjedhore, në komisionin e posaçëm parlamentar.
Deklaratat
“I bëjmë thirrje lidershipit të LSI-së të rikthehet në familjen e përbashkët në kampin opozitar. Të gjithë së bashku të kemi mundësinë fitoren e 2009-s. Kërkojmë që të heqë dorë nga këto praktika, të cilat po bëjnë të shqetësuar të gjithë të majtët në Shqipëri”, - tha sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
“Ftoj lidershipin e PS-së të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga procesi sistematik dhe i turpshëm i bojkotimit të institucioneve, në mënyrë të veçantë atyre kushtetuese, dhe t’i rikthehet funksionimit të pjesëmarrjes në Komisionin përkatës së Reformës Zgjedhore, i cili është i vetmi që ka të drejtën në këtë vend për të propozuar një ligj konkret për një çështje kyçe, sikurse është sistemi zgjedhor”, - tha sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Akuzat
PS-ja dhe LSI-ja kanë vijuar edhe dje me shkëmbimin e akuzave ndaj njëra-tjetrës. Blendi Klosi ka akuzuar lidershipin e LSI-së se të gjithë zhurmën po e shkakton për të realizuar ambicien e tij për t’u bërë kryeministër. Ndërkohë që Petrit Vasili ka akuzuar lidershipin e PS-së se po censuron median e lirë. “Partia Socialiste po sheh me shqetësim kërkesën e vazhdueshme të lidershipit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për t’u pozicionuar si kryeministër i së ardhmes i së majtës, duke u kapur për këtë pozicion pas politikave të vjetra dhe pas Fatimesë së Ndroqit”, - u shpreh sekretari Organizativ i Partisë Socialiste.
Ndërsa kundërpërgjigja e sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së ishte: “I kërkojmë publikisht këtij lidershipi që të heqë dorë nga presioni bashkiak i shpenzuar mbi median e lirë për një arsye të etikës morale të socialistëve që nuk e kanë pasur kurrë si traditë censurën, por këtë dimension ia kanë lënë si ekskluzivitet Sali Berishës”, - tha Vasili. I pyetur nga gazetarët në lidhje me hapësirat e mundshme të lidershipit të PS-së në lëvizjen politike të LSI-së, ai deklaroi: “Ka vend për të gjithë ata që e gjejnë veten tek ‘E Majta për Integrim’, në programin, në alternativën, në sinqeritetin dhe në ridimensionimin e së majtës së vërtetë. Kushdo mund të gjejë pozicionin e vet, se ku e ka vendin në të ‘Majtën për Integrim’, sepse, për fat të keq, sot ne shohim që PS-ja është në krizë përfaqësimi”.
5 Mars 2008