Sondazhi i KKRT-së, Vizion Plus, televizioni më profesional
Vizion Plusi është shpallur televizioni më profesional, më i ekuilibruari dhe më i paanshmi me edicionet informative dhe programacionin gjatë vitit 2007. Vlerësimi është bazuar në monitorimet që ka bërë Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit gjatë vitit që kaloi. Në raportin e këtij institucioni, i vetmi që bën matje profesioniste të këtij lloji, theksohet se “Televizionet Vizion Plus dhe Top Channel janë më të ekuilibruarit sesa edhe vetë operatorët kombëtarë. Ata kanë ditur të menaxhojnë në mënyrë të pavarur dhe korrekte kohën televizive të të gjitha kaheve politike në vend”. Monitorimi i operatorëve kombëtarë është një detyrim ligjor, por KKRT-ja vendosi vitin që kaloi që të merrte në konsideratë edhe transmetimet e Vizion Plusit
dhe Top Channel-it. Në raport shpjegohet se arsyeja e kësaj përfshirjeje është audienca e lartë që kanë këta operatorë, duke tejkaluar kombëtarët, dhe natyrisht cilësia e tyre. Specialistët e KKRT-së kanë monitoruar edicionet kryesore informative të ditës. Sipas raportit, Televizioni Vizion Plus i ka dedikuar pjesën më të madhe të informacionit lajmeve me temë sociale, që zënë 22.54% të gjithë edicionit. Madje Vizion Plusi zë vendin e parë edhe mes televizioneve të tjera për lajmet me temë sociale, në krahasim me Top Channel me 17% dhe Klan me 13%. Prioriteti për temat sociale nuk
është një zgjedhje e rastësishme e vijës redaksionale të Vizion Plusit. Drejtuesit e departamentit të informacionit synojnë që nëpërmjet transmetimit të këtyre lajmeve të jenë më afër problemeve të njerëzve. KKRT-ja e ka cilësuar në raport frymën sociale të televizionit tonë si dukuri specifike që bën dallimin në krahasim me operatorët e tjerë në treg. Ndërsa televizionet Top Channel dhe Klan i kanë kushtuar
rëndësi më të madhe politikës, Vizion Plusi ka preferuar t`i ofrojë publikut pjesë nga realiteti që e shqetëson çdo ditë dhe jo nga debatet e përhershme politike. Për këtë arsye lajmet për politikanët janë reduktuar në vend të dytë përsa i përket përqindjes, duke transmetuar atë çka ka përbërë vërtet politikën e ditës. Gjithçka është paraqitur në një kohë të shkurtuar dhe të përqendruar televizive. Lajmet nga sporti zënë vendin e tretë nga pesha në edicionet tona informative. Temat sportive kanë përqindjen më të lartë edhe në krahasim me televizionet e tjera me një diferencë të ndjeshme për audiencën. Nëse tema sport në Vizion Plus ka përbërë mbi 11% të totalit në edicionet rivale se ka kaluar 6 apo 7%. Hapësirë më të madhe se në operatorët e tjerë kanë në Vizion Plus edhe lajmet nga ekonomia, kronika e zezë apo kultura. Sipas monitorimeve në edicionin e Vizion Plus 8.12% janë lajmet e kronikës, nga 5% që janë në Top Channel dhe Klan. 8% janë lajmet ekonomike nga 7% në Top Channel dhe 5% në Klan. Në edicionin e Vizion Plusit rreth 7% i dedikohet kulturës, në Top Channel kjo shifër është 4.61% dhe në Klan 9%. Monitorime janë bërë edhe për emisionet informative që transmetohen në valët e Vizion Plusit. Audiencë më e lartë vihet re në emisione si “Zip” apo “Logos”. Me një format të veçantë për median shqiptare emisioni “Zip” ka marrë vlerësime maksimale nga audienca, që me sa duket preferon këtë model të zgjeruar të dhënies së informacionit në orët e vona të mbrëmjes. Të ftuarit dhe trajtimi i temave speciale testohen si forma më e pëlqyer nga publiku. Raporti rendit emisionet “Logos”, “Opinion”, “Shqip” dhe “Top Story” si programet e aktualitetit më të ndjekurat në llojin e vet dhe që konkurrojnë pozitivisht e denjësisht me njëri– tjetrin. Në monitorim veçohet edhe emisioni “Njerëz të humbur”, me një audiencë të lartë dhe profesionalizëm në trajtimin e tematikave. Formati investigues i këtij emisioni ka depërtuar në publik me gjetjen e dhjetëra shqiptarëve të humbur. Ky monitorim i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit vërtetoi edhe një herë profesionalizmin e informacionit dhe programacionit që përcillet nga valët e Vizion Plusit, duke ruajtur paanshmërinë.
5 Mars 2008