Prodhimi i ujit në kryeqytet në kushte skandaloze, pezullohet leja për 4 kompani
Prodhimi i ujit në vend e sidomos në kryeqytet aty ku ndodhen edhe fabrikat më të shumta e më të mëdha në gjithë vendin mbetet shumë problematike. Vetë Inspektorati Ushqimor që ditët e fundit po ushtron një sërë kontrollesh jo vetëm në
fabrikat e prodhimit të ujit të pijshëm por edh në fabrikat e bukës apo në biznese të tjera, ka pranuar gjendjen skandaloze në disa raste në cilat prodhohet uji i pijshëm. Në lidhje me këtë Inspektorati Ushqimor i Tiranës me pjesëmarrjen edhe të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka ndaluar prodhimin e 4 llojeve të ujit të pijshëm të cilët për shkak të pezullimit të aktivitetit nuk do të dalin më në treg. Përkatësisht janë marrë masa për subjektin Altrade sh.p.k (Uji Santa Maria) me përfaqësues Mbaresa Kaçaj i është pezulluar aktiviteti pasi ka mangësi në procesin teknologjik të larjes së ambalazhit, taposjes dhe etiketimit. Aktiviteti i dytë që është pezulluar ka të bëjë me subjektin A.Q sh.p.k (Uji Selita-Shën mëria) me përfaqësues Agron Qokut i është pezulluar prodhimi për linjën e 1.5 dhe 0.5 litra pasi makineria e kësaj linje ka pësuar difekt dhe në një gjendje të tillë nuk garanton produkt të sigurt. Subjektit Eta sh.p.k (Uji Selita) i është pezulluar prodhimi për 1.5 dhe 0.5 litra duke qenë se kishte mangësi në procesin teknologjik të prodhimit dhe ambalazhimit. Ndërsa për subjektin Ris sh.p.k (Uji Tirana) ku është bërë një kontroll i mëparshëm dhe është konstatuar se kishte një teknologji të mirë por kishte mangësi në ambientet e punës të tilla si prishje pllakash dhe lagështi në muret anësore. Sipas Inspektoratit Ushqimor, ajo që vlen për tu theksuar është se në disa subjekte gjendja vazhdon jetë kritike dhe për mosplotësim të kushteve teknologjike janë marrë masa maksimale për disa prej subjekteve të mëposhtme të ambalazhimit të ujit. Duke filluar që nga data 02 Korrik 2010 Inspektorati Ushqimor i Tiranës me pjesëmarrjen edhe të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka ndjekur me përparësi, në bazë të një plani pune të detajuar, subjektet prodhuese te bukës, ujit si dhe kushtet e tregtimit në Tregun Ushqimor në Tiranë veçanërisht tani në stinën e nxehtë. Është shumë e rëndësishme të theksohet fakti, se këto kontrolle do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Duke qenë se subjektit i është lënë detyrë me afat të përcaktuar për rregullimin e mangësive, sot Inspektorati Ushqimor Tiranë me pjesëmarrjen edhe të AKU ka bërë një kontroll mbi plotësimin e këtyre detyrave dhe u konstatua se këto detyra nuk janë plotësuar duke çuar në pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e masave për krijimin e kushteve të përshtatshme për operim normal. Subjekti F-Ferra (Uji Kristal) janë lënë detyra për tu plotësuar nga ana e kompanisë së prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit.
Dokumentacioni
Në qarkun e Tiranës ushtrojnë aktivitetin 11 subjekte që prodhojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë ujë. 7 nga këto subjekte janë plotësisht të mekanizuara dhe dy prej tyre janë të certifikuara dhe me certifikatat e cilësisë dhe sigurisë ISO dhe HAÇAP. Problemi i ujit te ambalazhuar ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes pikë së pari të konsumatorit por njëkohësisht edhe të medias vizive e të shkruar, e cila e ka ndjekur shumë shpesh çështjen e ndotjes së ujit të ambalazhuar. Pikërisht për këtë arsye Inspektorati Ushqimor në Tiranë gjatë procesit të kalimit të funksioneve të inspektimit tek AKU, ka ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet ambalazhuese të ujit dhe si rezultat janë bërë edhe përmirësime.
Masat
Megjithatë ajo që vlen për tu theksuar është se në disa subjekte gjendja vazhdon te jetë e njëjtë dhe për mosplotësim të kushteve teknologjike janë marrë masa maksimale për subjektet e mëposhtme të ambalazhimit të ujit. Duke patur parasysh rëndësinë e ujit të pijshëm në stinën e nxehtë të verës, kontrolli në njësitë e ambalazhimit të ujit do të kryhet në vazhdimësi. Ky kontroll do të vazhdojë të jetë në lidhje me normat e lejuara të ngarkesës bakteriale, higjienën e njësive të ambalazhimit dhe të personelit, si dhe me linjat e ambalazhimit dhe vetive fiziko kimike të ujit. Gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e kontrolleve të rrepta do të jenë dhe për plotësimin e detyrave të lëna për ti garantuar konsumatorit shqiptar një produkt të sigurt dhe cilësor.
Probleme me ujin e pijshëm në zonën e Dajtit
Lagje të tëra në kryeqytet, sidomos ato afër malit të Dajtit, të cilat gjithmonë kanë pasur furnizim të mirë me ujë të pijshëm, për shkak dhe të pozicionit të tyre, papritur, po përballen me thatësirën. Por jo vetëm në këtë zonë edhe në zona të tjera në gjithë kryeqytetin m ardhjen e stinës së nxehtë, problemet me mungesën e ujit të pijshëm janë probleme tejet shqetësuese për banorët. Në lidhje me këtë ujësjellësi i Tiranës jo vetëm që nuk shqetësohet të përmirësojë furnizimin e atyre zonave që tradicionalisht vuajnë për ujë, por penalizon dhe lagje që kanë pasur furnizim. Në vend që të synohet përmbushja e një të drejte elementare të njeriut, këto ditë po bëhet e kundërta. Banorët, të papërgatitur nga vendimet drastike të Ujësjellësit të Tiranës, vuajnë nga përballimi i nevojave me elementare për jetën e përditshme. Situata rëndohet edhe për shkak të stinës së nxehtë dhe rrezikon të kthehet në emergjencë dhe sanitare. Nuk është e para herë që të drejtat e qytetarëve shkelen në mënyrë barbare nga institucionet shtetërore, kujtojmë problemet e faturimit të ujit dhe të dritave.
Arta AGOLLI