E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon sistemi i patronazhit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Secili anëtar partie duhet të marrë në patronazh rreth 30 zgjedhës. Gjatë kësaj periudhe pune, ky anëtar do të merret me dëgjimin e shqetësimeve, të cilat do t i përçojë më pas në strukturat e larta të PS-së, por puna më e madhe që do të bëhet është me zgjedhësit e lëkundur”

Organizmi i Partisë Socialiste në bazë ka hasur një sërë problemesh. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në programin organizativ të selisë rozë për krijimin e sistemit të patronazhit, duket se ky proces ka mbetur në vend. Në qytetin e Tiranës ky proces, madje, mund të quhet tërësisht i dështuar. Burime nga PS sqarojnë për gazetën se në bazë të detyrave organizative, Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral kishte parashikuar që brenda muajit dhjetor të përfundonte ngritja e sistemit të patronazhit, identifikimi i mënyrës se si votojnë zgjedhësit dhe madje të niste puna dhe me të lëkundurit. Por duket se ky proces është realizuar në masën rreth 30 për qind. Kjo ka bërë që strukturat qendrore ta shtyjnë këtë afat deri më 31 janar.
Sistemi i patronazhit
PS-ja ka ngritur në të gjitha degët e saj sistemin e patronazhit, mënyrë kjo e huazuar nga praktika amerikane e fushatës së Barak Obamës. Sipas këtij sistemi, anëtarët e partisë kanë secili një numër të caktuar zgjedhësish, me të cilët do të duhet të punojnë. Secili anëtar partie duhet të marrë në patronazh rreth 30 zgjedhës. Gjatë kësaj periudhe pune, ky anëtar do të merret me dëgjimin e shqetësimeve, të cilat do t i përçojë më pas në strukturat e larta të PS-së, por puna më e madhe që do të bëhet është me zgjedhësit e lëkundur. Në materialin paraprak, që u përgatit kohë më parë nga sekretariati për çështjet zgjedhore, “sistemi i patronazhit nënkupton që çdo anëtar i Partisë Socialiste, në çdo organizatë që mbulon një qendër votimi, bëhet përgjegjës për një territor gjeografik të qendrës së votimit, pra dhe të zgjedhësve që i përkasin këtij territori”. Nga ky material, i miratuar nga kryesia e PS-së dhe Asambleja Kombëtare, çdo anëtar është përgjegjës për një numër zgjedhësish që i përkasin një qendre votimi, që do të thotë që duhet të realizojë identifikimin e mënyrës se si ata votojnë. Po kështu, duhet të punojnë me mbështetësit për t i bërë pjesë aktive të fushatës së PS-së.
Problemet
Duket se baza socialiste nuk i është përgjigjur si duhet kësaj detyre të caktuar nga Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral. Ka një sërë probleme në evidentimin e zgjedhësve dhe në përcaktimin e përkatësive të tyre politike. Ndërkohë që pothuajse nuk ka nisur puna me të lëkundurit. Në bazë të detyrave të caktuara duhej që brenda periudhës tetor-dhjetor 2008 jo vetëm të ishin ngritur sistemet e patronazhit, por dhe të ishte identifikuar mënyra se si votojnë zgjedhësit, të punohej me të lëkundurit dhe abstenuesit si dhe të punohej për identifikimin e emigrantëve dhe studentëve jashtë vendit. Të gjitha këto çështje nuk janë realizuar si duhet.
Detyrat
Burimet nga selia rozë sqarojnë se fillimi i janarit parashikon dhe fazën e dytë të përgatitjes për zgjedhjet e vitit 2009. Fillimisht është lënë që brenda janarit të zgjidhen të gjitha problemet e hasura në fazën e parë dhe më pas të nisë dhe puna për këtë fazë që fillon në janar dhe mbaron në qershor, pra deri në datën e zgjedhjeve. Gjatë kësaj faze do të bëhet një fushatë e vazhdueshme për të bindur votuesit e lëkundur dhe abstenuesit për të votuar për PS-në, informimi i vazhdueshëm i tyre lidhur me procesin e pajisjes me karta identiteti dhe bindja për t u pajisur me to dhe më pas dhe bindja për të marrë pjesë në votim në emër të një qeverisjeje më të mirë nesër. Puna nuk mbaron këtu. Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral ka kërkuar po kaq angazhim dhe në ditën e votimit kur duhet të punohet shumë për mbrojtjen e votës, për eliminimin e çdo abuzimi apo incidenti.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›