E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI kundër komisionit “ad hoc”: “Mënjanohen përgjegjësitë e Qeverisë”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e mirëpret propozimin e socialistëve për të ngritur një komision “ad hoc” për monitorimin e procesit zgjedhor ku përfshihet dhe ndarja e kartave të identitetit. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, pohoi dje se kjo detyrë është e Qeverisë dhe krijimi i bashkëpërgjegjësive fiktive, sipas tij, do të ndikojë negativisht procesin. “Përgjegjëse për procesin e pajisjes me karta, që nga momenti kur qytetari hyn e deri në momentin kur qytetari del me kartën e identitetit apo pasaportën biometrike në dorë, është vetëm Qeveria shqiptare. Edhe në procesin kur diskutohej për hartimin e Kodit Zgjedhor të gjitha forcat politike, përfshirë edhe Partinë Socialiste, janë shprehur qartë se përgjegjëse e vetme dhe kryesore për këtë proces është Qeveria shqiptare dhe çdo anashkalim i përgjegjësive nga Qeveria shqiptare dhe krijimi i bashkëpërgjegjësive fiktive, përveçse krijon konfuzion në marrjen e masave, na largon nga një objektiv i vetëm, që është pajisja e gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, për të realizuar zgjedhjet sipas standardeve. Ky është një dhe vetëm një objektiv”, - tha ai. Vasili pohoi më tej se PS dhe PD kanë përgjegjësi shumë të madhe në këtë proces. “Këto parti duke zvarritur pambarimisht Kodin Zgjedhor për ta miratuar atë bazuar mbi filozofinë shumë të gabuar të faktit të kryer dhe në momentin e fundit lanë tërësisht pas dore këtë proces”, - tha ai. Vasili, në emër të LSI-së, propozoi që Qeveria të miratojë një plan emergjent shpërndarjeje që infrastruktura dhe burimet njerëzore përgjegjëse për pajisjen me karta identiteti të funksionojë në 24 orë si dhe të shpërndajë gratis karta për pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre dhe personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›