Dështon takimi me minatorët, raporti në METE: Të hiqet licensa e ACR
Bulqizë- Dy javë pas nisjes së grevës së urisë së 13 minatorëve të Bulqizës, reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave i propozon ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço heqjen e licencës për kompaninë austriake ACR. Ky propozim vjen pas inspektimit të minierës ku ndodhen të ngujuar grevistët, e cila sipas specialistëve të këtij reparti rrezikon të shembet nga ndërprerja e gjatë e punës. Sipas raportit të mësipërm, i cili ka dalë me propozime konkrete për kreun e METE, “mosndezja e ventilatorëve shkakton grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në galeri, ndërsa fikja e pompave për largimin e ujërave ka bllokuar minierën, duke krijuar shembje të punimeve dhe shkatërrimin e pajisjeve e të makinerive të instaluara”. Ende nuk dihet cili do të jetë vendimi i ministrit Naço, pasi në kohën që pritej një marrëveshje mes minatorëve dhe ACR, në tavolinën e tij të punës mbërrin rekomandimi për heqjen e licensës së kësaj kompanie.
Dështon takimi
Nga ana tjetër, takimi mes firmës ACR dhe një përfaqësie të re të minatorëve pa sindikatën, ishte caktuar dje në orën 16:00 dhe pritej që të jepej një zgjidhje vendimtare rreth situatës me minatorët e ngujuar në grevë urie prej 2 javësh dhe shpëtimin e minierës që ka shfaqur probleme të mëdha teknike. Por, edhe pse takimi mes minatorëve dhe firmës austriake ASCR ishte vendosur të zhvillohej në ambientet e Bashkisë së Bulqizës, përfaqësues të firmës nuk u paraqitën. Takimi ishte caktuar nga ACR për ditën e djeshme, por minatorët që po qëndrojnë ende pranë Bashkisë shprehen se përfaqësues të kompanisë austriake që menaxhon minierën ku ata punojnë nuk kanë mbërritur ende. “Përfaqësia e minatorëve do të përbëhet nga 6 vetë, pjesëtarë të këshillit sindikal dhe vetë kryetari i Bashkisë së Bulqizës”- deklaroi Kol Nikollaj. Ai konfirmoi se vetë personalisht nuk do të ishte i pranishëm në takim, por se do të ishte i pranishëm në momentin e firmosjes së marrëveshjes, nëse do arrihej. Por ACR edhe pse njoftoi dje paradite se do të lajmëronte më vonë orën e takimit, nuk dha shpjegime të mëtejshme përse u anulua takimi në fjalë. Bisedimet mes zyrtarëve të ACR dhe një përfaqësie të minatorëve, pa drejtuesit e sindikatës, u anulua ndërsa pritej që dje të merreshin vendime të rëndësishme nga të dyja palët. Burime nga miniera e Bulqizës bënë të ditur se takimi, që do të realizohej pasdite, nuk u zhvillua për arsye organizative. Greva e minatorëve hyri në ditën e 15-të, ndërsa në galeri gjendja e tyre vazhdon të rëndohet, edhe për shkak të amortizimit të mëtejshëm të minierës, si pasojë e mosfunksionimit normal të saj. Në kërkesat e tyre për rikthimin në punë, minatorët kërkojnë kushte më të mira dhe më të sigurta pune, si dhe rritjen me 40 për qind të rrogës. Për kërkesën e fundit, drejtuesit e konsorciumit ruso-austriak janë shprehur se janë të gatshëm ta rrisin pagën me 20 për qind.
Rreziku
Miniera e Bulqizës rrezikon seriozisht jetën e 13 minatorëve, të cilët që prej më shumë se dy javësh janë ngujuar në grevë urie, 1400 metra nën tokë. Me gjithë këmbënguljen e mjekëve për të ndërprerë grevën, minatorët nuk kanë pranuar dhe vazhdojnë të trajtohen me serum. Mosfunksionimi i minierës prej dy javësh ka bërë që, sipas specialistëve, të shtohen rreziqet e shembjes dhe miniera të shkojë drejt deradimit.