E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket punëtori i pikës së karburantit

Tiranë- Një 37-vjeçar rezulton i zhdukur qysh prej 4 ditësh në rrethana misterioze. Kanë qenë familjarët e këtij të fundit, të cilët i janë drejtuar postës policore në Vorë për të denoncuar zhdukjen pa lënë gjurmë të të afërmit të tyre. Burime nga Policia bëjnë të ditur se i zhdukuri është Shpëtim Bocerri, i cili prej disa kohësh punonte në një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas dëshmive të personave të fundit që e kanë parë, ai është larguar rreth orës 14:00 nga pika e karburantit ku punonte dhe ka ecur në këmbë në drejtim të urës së Limuthit.

Nga ana e saj, Policia e Tiranës nisi menjëherë punën për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Ndërkohë burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se në bazë të hetimeve të kryera deri më tani dhe të dëshmive të mbledhura, mund të flitet për një largim dhe jo për zhdukje. Por gjithsesi, sipas uniformave blu, mësohet se materialet përkatëse i kanë kaluar prokurorisë, e cila në bashkëpunim me Policinë është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Nga ana tjetër, familjarët e Bocerrit, të marrë në pyetje nga ana e grupit hetimor, kanë deklaruar se Shpëtimi nuk ka pasur asnjë konflikt dhe se nuk ka shfaqur asnjë sjellje të çuditshme kohët e fundit. Gjithashtu në pyetje janë marrë dhe kolegët e tij të punës, të cilët kanë deklaruar se janë shumë të habitur me zhdukjen e tij, pasi sipas tyre 37-vjeçari ishte njeri shumë korrekt dhe i sjellshëm në punë. Ndërkohë, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje dhe gjetjen e 37-vjeçarit Shpëtim Bocerri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›