E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në liqen i riu 18-vjeçar nga Tirana

SHKRUAN: Irena Vreto 09-08-2011 12:36

Pogradec- Tragjedi në liqen, mbytet pushuesi 18-vjeçar. Vera e nxehtë sjell në freskinë e liqenit të Ohrit me mijëra pushues. Por ndërkohë përveç kënaqësisë që ata marrin, mungesa e kujdesit nga vetë ata në jo pak raste kthehet në një tragjedi të vërtetë. Është shënuar për fat të keq viktima e parë në këtë liqen për këtë stinë. Ai është një 18-vjeçar nga Tirana, i cili kishte shkuar në qytetin e Pogradecit për pushime bashkë me familjen e tij. Burimet nga policia e qytetit liqenor bënë të ditur për gazetën “Mapo” se një i ri 18-vjeçar ka gjetur vdekjen në ujërat e liqenit të Ohrit. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 14.40 të të hënës, jo shumë larg nga bregu i liqenit, në afërsi të qendrës së qytetit. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje, por dhe nga dëshmitë e dëshmitarëve, viktima është identifikuar si shtetasi Mario Malko, 18 vjeç banues në qytetin e Tiranës, i cili ndodhej me familjen e tij për pushime në liqenin e Ohrit. Viktima ka qenë duke u larë, ashtu si ka bërë dhe disa ditë më parë. Ai u ka humbur nga sytë familjarëve, ndërkohë që teksa lahej për t’u freskuar nga vapa e madhe, nuk ka mundur dot të dalë pas hyrjes së tij në ujë. Disa të rinj që kanë parë viktimën janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, por gjithçka ka qenë e pamundur. Ai ka mbetur i vdekur, megjithëse është nxjerrë në breg, madje është transportuar më pas me urgjencë në spitalin e Pogradecit. Policia lokale për këtë ngjarje ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj. Ngjarjet aksidentale të këtij lloji janë të njohura në këtë liqen. Vetëm gjatë vitit të kaluar bilanci tragjik flet për 10 pushues që kanë mbetur të vdekur, pasi kanë hyrë për t’u larë në liqen, duke mos u kthyer dot më në tokë. Ndërkaq, ky është rasti i parë i kësaj vere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›