E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon të vrasë hasmin, i cili e plagos me thikë

Është nisur të vrasë atë që e konsideronte si hasmin e tij, por ka dështuar, pasi kundërshtari është treguar më i shpejtë dhe e ka qëlluar me thikë, duke e plagosur. Të dy protagonistët e ngjarjes, të cilët janë përleshur pasditen e së shtunës, kanë pasur konflikte pronësie midis tyre. Autori që kishte shkuar për të kryer vrasje është pikasur nga "preja" e tij dhe është qëlluar dy herë me thikë prej tij, një herë në gjoks dhe një herë tjetër në pjesën e prapme të trupit, pohuan për gazetën burimet zyrtare nga policia e Fierit. Luli Dimo, 27 vjeç, banor i qytetit të Fierit, ishte nisur pasditen e së shtunës për të vrarë shtetasin Ilir Spahia, banor i fshatit Hoxharë të Fierit. Sipas policisë, gjithçka vërtetohet nga provat materiale të gjetura dhe të sekuestruara në vendin e ngjarjes. Dimo kishte marrë me vete një armë zjarri tip "Kallashnikov", dy krehra me fishekë, 22 copë fishekë, një maskë, ushqime dhe ujë. Sipas policisë, kjo tregon se ai kishte vendosur të fshihej pas ngjarjes dhe për këtë do t‘i shërbente ushqimi që kishte marrë me vete. Por gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç e kishte planifikuar 27-vjeçari.

Spahiu ndodhej në tokën e tij duke punuar. Dimo i është afruar vendit ku ndodhej Spahiu dhe është përpjekur që ta zërë atë në befasi. Por 30-vjeçari duket se e ka pikasur hasmin për para se ky i fundit të kryente ndonjë veprim ndaj tij. Menjëherë Spahia duket se ka bërë lëvizjen e tij. Është fshehur pa rënë në sy dhe i ka dalë papritur përpara Dimos. Në këtë kohë ai e ka sulmuar me një thikë që kishte me vete, duke e qëlluar dy herë, një herë në gjoks dhe një herë në pjesën e prapme të trupit, duke e lënë të plagosur në vend dhe është larguar në drejtim të paditur për policinë. Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një kallashnikov, dy krehra me 22 fishekë, një maskë dhe ushqime. I plagosuri Dimo ishte dërguar nga banorë të zonës me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Pasi kanë shoqëruar disa persona, policia ka arritur që të zbardhë skemën e ngjarjes. Ajo arriti që në orët e vona të mbrëmjes të vërë në pranga shtetasin Ilir Spahia, i cili akuzohet se ka plagosur rëndë me thikë shtetasin Luli Dimo. Por pasi ka dalë nga gjendja e rëndë dhe rreziku për jetën, edhe Dimo është vënë në pranga prej policisë. Nga marrja në pyetje e Spahisë, policia ka mësuar se Dimo kishte shkuar për ta vrarë. Ai kallashnikovin e kishte mbështjellë me një karton, ndërkohë që në çantën e shpinës që kish me vete kish ushqim. Maska i është gjetur në vendngjarje, po ashtu si edhe arma. Policia e Fierit ka kryer ndalimin e dy shtetasve. Ndërkohë që Dimo ndodhet në arrest në spital, Spahia është dërguar në dhomat e paraburgimit të këtij komisariati policie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›