E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind në burg, gjykata e nxjerr në arrest shtëpie

Nuk i ka treguar askujt për gjendjen e saj shëndetësore dhe për tetë muaj ka qëndruar në qeli së bashku me fëmijën e saj në bark. Por lindja e paevitueshme i ka ndryshuar gjërat dhe gjykata është detyruar ta nxjerrë nënën e re në arrest shtëpie, megjithëse akuzat ndaj saj janë të rënda dhe për më tepër prokuroria ka insistuar që ajo ka shumë informacione që nuk i ka treguar ende në lidhje me krimin për të cilin akuzohet. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet është zhvilluar një seancë gjyqësore për revokimin e masës së sigurisë për shtetasen Arjeta Gaba, e arrestuar prej 8 muajsh. Gjykata është detyruar të revokojë masën e parë të dhënë ndaj saj, pasi ajo prej 20 ditësh është bërë nënë. E vetmja pyetje që mësohet se i është bërë të pandehurës në sallën e gjyqit, ka qenë se përse ajo nuk ka treguar më parë për shtatzëninë e saj. Ndërsa ajo me një qetësi të madhe dhe një indiferencë totale ka thënë: "Nuk e pashë të arsyeshme". Ndërkohë që gjatë seancës është zbuluar edhe një element tjetër mjaft i rëndësishëm. Sipas prokurorit të çështjes, akuza nuk ka marrë asnjë dijeni për gjendjen e të pandehurës nga autoritetet e paraburgimit ku ajo ndodhej, çka ka bërë që seanca për revokimin e masës të kryhej rreth 20 ditë pasi Gaba kishte lindur fëmijën e saj.

Arrestimi

Arjeta Gaba është arrestuar në korrik të vitit të kaluar, e akuzuar për përfshirje në trafikun e të miturve. Vajza në moshë të re është arrestuar në qytetin e saj të banimit, në Vlorë. Sipas policisë dyshohet se ajo kishte trafikuar një vajzë 13-vjeçare jashtë vendit, për qëllime përfitimi. Në të njëjtën kohë policia kishte të dhëna se Gaba kishte punuar edhe vetë si prostitutë për një periudhë kohe dhe madje kishte rekrutuar për të ushtruar këtë aktivitet edhe një vajzë tjetër. Pas përcaktimit të akuzave ndaj saj, dosja i ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, e cila ka shqyrtuar çështjen dhe ka caktuar ndaj Gabës masën e sigurisë burg pa afat. Gjatë procesit hetimor, si dhe në gjykatë, vajza nuk ka treguar asgjë lidhur me gjendjen e saj. Ajo është vendosur në dhomat e paraburgimit në Burgun 313 në kryeqytet dhe prokuroria ka vazhduar punën për të zbuluar bashkëpunëtorët e saj.

Lindja

Ndërkohë, stina e dimrit me veshjet e trasha që përdoren gjatë saj, duket se e ka ndihmuar vajzën për të fshehur edhe më mirë shtatzëninë e saj. Por jo për shumë kohë. Në fillim të këtij viti gjithçka është zbuluar, edhe pas nevojës që ka pasur ajo për shërbim shëndetësor të specializuar. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore nuk u bë e ditur se ku ka lindur Gaba, por mendohet se ajo është çuar në maternitet, e shoqëruar nga punonjësit e policisë së burgut. Rreth 20 ditë më parë, në fillim të marsit, ajo ka lindur një vajzë, të cilën e ka mbajtur deri tani në qelinë ku ka qëndruar edhe vetë.

Lirimi

Në këto kushte, gjykata është detyruar të pranojë kërkesën për revokimin e masës së sigurisë dhe ka vendosur ta nxjerrë Gabën dhe foshnjën e saj nga qelia. Togat e zeza kanë vendosur që e reja të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor ndaj saj. Në këtë mënyrë pritet që sot ajo të lërë qelitë e Burgut 313 dhe të largohet në drejtim të qytetit të saj, Vlorë, së bashku me vajzën e vogël.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›