Arsimi nderon personalitetet e vitit
Ministria e Arsimit nderon me çmime dhe certifikata mirënjohjeje më të mirët në arsimin parauniversitar për vitin 2009.
Në këtë ceremoni, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhanë certifikata dhe çmime për nxënësit, mësuesit dhe shkollat më të mira të Shqipërisë për vitin 2009. Duke përshëndetur këtë eveniment, Kryeministri Berisha shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë nxënësve, mësuesve, edukatorëve të brezit të ri, për punën dhe përkushtimin e dëshmuar gjatë vitit 2009 e në vazhdim, në garën e dijes. Ministri Tafaj në përshëndetjen e tij për të pranishmit, theksoi se kjo nismë do të kthehet tashmë në një traditë të përvitshme, në çdo fundvit, si një vlerësim real, por edhe si motivim dhe nxitje për rezultate dhe cilësi akoma më të lartë në sistemin tonë arsimor. U nderuan me medalje të artë 4 nxënës të shkollave të mesme, që i kanë mbaruar këto studime me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa me certifikatën e mirënjohjes 5 nxënës të shkollave 9-vjeçare, të vlerësuar me çmime të para në konkurse e olimpiada ndërkombëtare. Ministria e Arsimit dhe Shkencës i vlerësoi të gjithë nxënësit me një dhuratë të veçantë.
Në kuadër të nismës "Shqipëria në moshën e Internetit", MASH dhuroi për këta nxënës nga një lap-top, për t‘u dhënë mundësi të vazhdojnë në rrugën e tyre të arsimimit edhe nëpërmjet internetit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerësoi si "më të mirët e vitit 2009" 18 mësues dhe edukatorë nga të gjitha shkolla e vendit, të cilët janë përzgjedhur nga drejtoritë arsimore rajonale në rang qarku për të gjithë Shqipërinë, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e rezultateve të larta dhe cilësisë në mësimdhënie. Më pas, çmimin "Shkolla më e mirë e vitit 2009", e morën 5 shkolla të mesme të përgjithshme, bazuar në rezultatet e Maturës Shtetërore, në notën mesatare. Një çmim të veçantë mori shkolla e mesme profesionale, "Beqir Çela", e Durrësit, për integrim më të mirë në arsimin profesional. Po kështu u vlerësuan me certifikatën e mirënjohjes "Shkolla më e mirë e vitit 2009" edhe 16 shkolla 9-vjeçare të përzgjedhura nga drejtoritë arsimore rajonale, për rezultatet e arritura në provimet e lirimit.