E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Për mjekët s‘ka Vit të Ri

Ministri i Shëndetësisë mbledh autoritetet shëndetësore dhe u lë porositë për fundvitin. "Të sigurohen materiale mjekësore në shërbimin e urgjencës, të ketë përforcim të ekipeve të rojës dhe të afishohen listat me emrat e personelit mjekësor që do të shërbejë gjatë ditëve të festave", këto ishin disa nga detyrat e lëna nga numri një i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Ministri i Shëndetësisë zhvilloi dje një takim me drejtuesit e spitaleve të vendit dhe Drejtorët e Shëndetit Parësor.

"Mjekët nuk kanë festa zyrtare dhe as fundjava. Nëse të tjerët festojnë ne duhet të jemi në krye të detyrës", tha Vasili, duke shtuar se dhe ai do të jetë një ndër ata mjekë që festat e fundvitit do t‘i kalojë në kryeqytet, duke monitoruar jo vetëm situatën e fundit gripale, por dhe ecurinë e punës së të gjitha qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend.

"Ndaj, mos ju duket çudi, nëse një moment u bie celulari dhe numri thirrës është ai i ministrit të Shëndetësisë", shtoi Vasili, duke e vënë theksin në kujdesin maksimal dhe masat që duhet të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore në këto ditë festash për të qenë sa më afër popullatës.

Ndërkaq, dje ministri Vasili ka firmosur një urdhër prej katër pikash që i drejtohet shërbimit spitalor dhe ambulator në të gjithë vendin.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›