E Diel, 1 Nëntor 2026

Krishtlindje me grip derri, 5 raste të rënda

Në ditën e Krishtlindjeve, të gjithë do të donin të ishin në shtëpi, pranë një tavoline plot "ngjyra" dhe pranë një peme me dhurata. Por ka edhe nga ata të cilët këto festa nuk do t‘i kalojnë kaq bukur, madje do t‘i kujtojnë me keqardhje.

Mes dhjetëra pacientëve, vëmendja e strukturave shëndetësore është te pacientët që ndodhen në gjendje të rëndë e sidomos ata të prekur nga gripi pandemik. "Janë gjithsej pesë raste të rënda, të cilat ndodhen në gjendje stacionare në infektiv dhe sanatorium. Edhe vajza 25 vjeç, e cila është shtatzënë ndodhet në gjendje të pandryshueshme. Çdo ditë konfirmohen 5-6 raste me grip derri, por sigurisht që shifrat janë më të larta", sqaroi drejtori i politikave shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kampionët e ekzaminimeve që merren çdo ditë janë të kufizuara dhe për këtë shkak nuk mund të jepet një numër gjithëpërfshirës për të gjitha rastet e prekura nga gripi pandemik AH1N1.

Rastet e rënda

Aktualisht, rastet e rënda po trajtohen në dy spitalet universitare të Tiranës, qendra spitalore universitare "Nënë Tereza" dhe në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi". Të dyja këto qendra kanë shërbime të specializuara ku kurojnë rastet e rënda në terapi intensive. Konkretisht, trupa mjekësore mban nën vëzhgim rastet me komplikacione. E reja shtatzënë 25 vjeç, e cila pret të lindë dy binjakë aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, në terapi intensive. Megjithatë, mjekët kanë sqaruar se të gjitha këto raste po ndiqen me prioritet dhe shpresohet që pacientët që kanë komplikacione për shkak të gripit të derrit të përmirësohen. Ndoshta përmirësimi i gjendjes shëndetësore do të jetë dhurata e këtyre Krishtlindjeve.

Gripi pandemik

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, këtë muaj kemi një rritje të infeksioneve respiratore krahasuar me muajin paraardhës.
"Ajo çka vihet re është se nga tetori kemi një rritje të menjëhershme të infeksioneve respiratore, e cila flet për qarkullim intensiv të një virusi që shkakton epidemi.
Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore akute vërehet në moshat fëminore", thuhet në buletinin informativ të ISHP-së lidhur me situatën e gripit në vend.
Lidhur me gripin e ri A/H1N1, deri në datën 22 dhjetor janë marrë 2500 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në kategoritë 15-24 vjeç ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A(H1N1) deri në datën 22 dhjetor është 373. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 24 vjeç.
Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›