Dhurata për festa, 1 flakon gjaku
U kanë mjaftuar vetëm dhjetë minuta të shkëputura nga orari zyrtar në punë për të bërë dhuratën më të bukur në këtë prag fundviti, për të gjithë pacientët e vegjël që vuajnë nga sëmundje kronike. Punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë dhuruar gjak për fëmijët talasemikë dhe pacientët e tjerë të vegjël që trajtohen nga sëmundjet e gjakut. Pas apelit të shoqatës "Fëmijët Shqiptarë", drejtuar nga Liri Berisha, QKB-ja ka qenë ndër të parat institucione që i është përgjigjur menjëherë kësaj thirrjeje.
Dje paradite një automjet i Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, ka ndaluar në oborrin e Qendrës së Kontrollit të Barnave dhe ka nisur të presë të gjithë punonjësit që vendosën të dhurojnë gjak për fëmijët në nevojë. "I falënderoj të gjithë ata punonjës që vetëm për dhjetë minuta u kanë bërë këtyre fëmijëve një dhuratë kaq të çmuar, ky është një akt solidariteti dhe një përgjigje pozitive ndaj apeleve të shoqatës "Fëmijët Shqiptarë". Është një veprim, që gjithkush nga ne nuk duhet të hezitojë ta kryejë, sepse shpëton jetë", deklaroi kreu i qendrës së KB-së, Besnik Jaku. Sipas tij, punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë treguar gatishmëri maksimale, duke kryer një akt human. Mesazhi i dhënë nga inspektorët e QKB-së për Krishtlindje iu drejtua qytetarëve. Sipas tyre, çdo qytetar që gëzon shëndet të mirë nuk duhet të hezitojë të dhurojë gjak. Është gjesti më njerëzor dhe human që duhet mund të bëjë secili prej nesh. Dhurimi i gjakut nuk është vetëm detyrim qytetar. Sipas mjekëve, dhurimi i gjakut të paktën një herë në vit ndihmon në pastrimin e gjakut dhe rigjenerimin e organizmit.
L.Mixha