E Diel, 1 Nëntor 2026

Një "kartolinë" amerikane për jetimët e Sarandës

Rreth 20 djem e vajza sarandjotë, të emigruar vitet e fundit në Amerikë, kanë treguar në një mënyrë origjinale se vazhdojnë të jetojnë me qytetin e tyre të zemrës. Ata kanë ideuar dhe realizuar një kartolinë krejt të veçantë në adresë të fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë. "Kartolina" e tyre ka qenë pako për secilin prej fëmijëve të shtëpisë më të madhe që ka Saranda, atë të fëmijëve jetimë. Pako me veshje, mjete mësimore dhe lojëra "Made in Amerika", të blera enkas me dollarët e grumbulluar si kontribut financiar i secilit. Këto dhurata speciale janë ndarë gjatë një ceremonie të posaçme në një nga hotelet e Sarandës, ku morën pjesë edhe kryetari i bashkisë, Edmond Gjoka, nënprefekti Gjergji Mano, si dhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Sarandës, Arjan Demiri. Fëmijët mbetën të mrekulluar nga dhurata të tilla që vetëm i ëndërrojnë fëmijët e familjeve të tjera, qofshin edhe të pasura në Sarandë.

Por si lindi dhe si u realizua kjo ide? Hyrja në "Facebook" ka mundësuar komunikimin e atyre që kanë emigruar në Amerikë me njerëz që i kanë afruar me institucionin i cili u ka dhënë mundësinë të shfaqin dobësinë e tyre njerëzore. Elida Vogli, drejtore e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë në Sarandë, ku trajtohen rreth 40 fëmijë pa prindër ose me probleme, thotë se ideja e bukur që erdhi këto ditë të fundvitit 2009, ishte e Panajota Kajos, bashkëmoshatares së saj. Ka qenë në traditën qytetare të Sarandës që kjo shtëpi rrethohej nga dashuria e mjaft familjeve, të cilat për festat e fundvitit hapin dyert për fëmijët e këtij institucioni. Në nderim të kujtimit të babait të saj, Niko Kajo, që prej disa dekadash më parë ishte një nga ato familje sarandjote që për çdo festë merrte mysafirë fëmijë nga Shtëpia e Fëmijës, për festuar së bashku. "Dua të bëj diçka të ngjashme edhe në nderim të kujtimit të babait tim, Niko Kajo, shkruan ajo në faqen e vet në ‘Facebook‘, që për çdo festë na sillte mysafirë në shtëpi bashkëmoshatarët tanët nga Shtëpia e Fëmijës". Dhe ideja e saj qarkulloi shpejt ndër miqtë sarandjotë në "Facebook", që jetojnë e punojnë në Amerikë. Dhurata e parë e saj ishte logoja interesante që ajo kompozoi për institucionin e fëmijëve socialë, edhe me dedikimin e gjetur "Fëmijët e zemrës" (Children of hart). Logoja e saj është pëlqyer dhe pranuar me shpejtësi, derisa ajo tani zë vend në mjediset e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë të Sarandës. Aq shpejt sa nuk mund të besohet. Nga një dëshirë për të dhënë diçka, kjo u kthye në lëvizje. Suzana Mehmeti, drejtore e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Sarandës, është një nga nxitëset e kësaj lëvizjeje, duke qenë se në Amerikë gjenden mjaft prej mikeshave të saj që kanë emigruar atje. Ajo përmend emrin e këngëtares sarandjote, Eli Rizo, që është njëherësh dhe grua e biznesit në Amerikë. Në adresën e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë në Sarandë, sarandjotja tjetër, Anita Xhiku (Mihali), dërgoi 100 dollarët e parë, me të cilat u blenë shapka të ngrohta për vogëlushët, tregon drejtorja Vogli. Bashkimi në donacionin e emigrantëve sarandjotë në Amerikë, bëri që në momentin e duhur, një ditë para Krishtlindjeve dhe në pragun e ndërrimit të viteve, të mbërrijnë në duart e vogëlushëve të institucionit social dhuratat e tyre. Dje erdhën 34 pako nga Amerika me veshje të reja dhe lodra për ata që tashmë i quajnë "fëmijët e zemrës". Në to ishin ambalazhuar këpucë, çizme, peshqirë, ëmbëlsira, mjete shkollore, lojëra. Ato janë blerë me kontributin financiar të bashkimit të disa emigrantëve me origjinë nga Saranda, si Antigoni Papagjika, Merita Mosi (Papailia), Panajota Kajo, Aneta Mihali, Krisanthi Jankulla etj. E për këtë nuk kanë vonuar shprehjet e falënderimit, gjithnjë përmes "Facebook"-ut. Madje e kanë bërë këtë edhe dy nga vajzat, banore të shtëpisë sociale si Romina, Bela etj. Një falënderim zemre u bë edhe dje, në momentin e marrjes së dhuratës nga çdo fëmijë.

Kryebashkiaku Gjoka tha se dhuratat e tyre i morën fëmijët, të cilëve u mungon apo e kanë të paplotë ngrohtësinë apo dashurinë prindërore. Por në fakt, u shpreh ai, kjo është dhuratë shpirtërore dhe një mesazh i ngrohtë për të gjithë qytetarët e Sarandës. Përtej ceremonisë, drejtorja e institucionit, Elida Vogli, ka kërkuar nga bashkiakët edhe që të zyrtarizojnë emrin e "importuar" nga bashkëqytetarët tanë në Amerikë, të cilët e quajnë "Fëmijët e zemrës". Kjo do t‘u jepte fund dilemave që e kanë lënë ende pa emër këtë shtëpi më shumë se 50-vjeçare në qytetin e Sarandës. Faqet e "Facebook"-ut tregojnë se deri tani janë 20 bashkëqytetarë të emigruar në Amerikë, që janë përfshirë në lëvizjen për të bërë diçka për "Fëmijët e zemrës", por ndërkohë mësohet se janë shprehur dëshirat e para edhe nga emigrantë në Greqi, që po i bashkohen asaj. "Facebook"-u po afron njerëzit që i bashkon i njëjti qytet dhe qytetaria, edhe kur i ndajnë kontinentet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›