E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohet brenda në shtëpi vajza 15 vjeçe

Një vajzë 15 vjeçe është masakruar me thikë brenda shtëpisë së saj në një lagje periferike të qytetit të Vlorës. M.Sheme u gjet e mbytur në gjak me katër plagë thike të shkaktuara nga një 21-vjeçar që sipas vetë vajzës kishte qenë i dashuri i saj. Policia sqaroi se ka arritur të identifikojë agresorin, i cili është 21-vjeçar nga Durrësi, por nuk bën të ditur emrin e tij. Ngjarja ka ndodhur dje paradite, kur vajza me prindër të divorcuar ishte vetëm në shtëpi. Burimet policore sqaruan se vajza e lindur në Korçë dhe e transferuar para pak vitesh në Vlorë, jetonte vetëm me babanë, në një shtëpi njëkatëshe të lagjes "11 Janari". Në momentin kur policia ka mbërritur në vendngjarje, vajza ka qenë e vetëdijshme dhe ka treguar se ishte qëlluar me thikë nga 21-vjeçari durrsak me të cilin kishte një lidhje intime. Policia sqaroi gjithashtu se durrsaku ishte grindur me të dashurën minorene, pasi ajo nuk pranonte të fejohej me të. Lidhja disamujore mes 15-vjeçares dhe durrsakut ishte mësuar nga babai i saj, punëtor ndërtimi, i cili i kishte bërë presion të bijës që të ndahej. Por i dashuri nuk e pranonte ndarjen dhe shkonte thuajse përditë në shtëpinë e vajzës së mitur, e cila shumicën e kohës qëndronte e vetmuar dhe pa mbrojtje. Rezistenca që ka bërë dje në mëngjes i ka kushtuar rëndë adoleshentes. Një nga fqinjët ka dëgjuar britmat e të miturës dhe i është afruar banesës, duke bërë që agresori 21-vjeçar të largohej pa ia marrë ende jetën asaj. Menjëherë është njoftuar edhe policia, që ka bërë transportin e të miturës në spital, ku ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve, të cilët thanë se plagët ishin tepër të rënda. Durrsaku 21-vjeçar është shpallur menjëherë në kërkim, por deri dje në mbrëmje nuk është bërë e mundur kapja e tij.

M.Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›