Dështon testimi i super-aeroplanit amerikan

Gjatë fluturimit mbi Oqeanin Paqësor aeroplani eksperimental amerikan X-51A WaveRider pati probleme me njërin nga krahët drejtues, kështu që u shkatërrua, njoftuan Forcat Ajrore (FA) të SHBA. Problemi me njërin nga krahët e drejtimit u vërejt 16 sekonda pas aktivizimit të motorit ndihmës, i cili do të duhej të përshpejtonte fluturaken, sqarohet në kumtesën zyrtare të FA.
Mbetjet e aeroplanit WaveRider ranë afër Point Mugu, në Oqeanin Paqësor, në veriperëndim të Los Angeles.
Boeing X-51 WaveRider është një fluturake eksperimentale që do të duhej të shërbente për zhvillimin e teknologjisë për fluturim me shpejtësi hipersonike – gjegjësisht, pesë herë më të shpejtë se shpejtësia e zërit.
Ky ishte prototipi i tretë - nga katër sa janë gjithsejtë - i WaveRider. Përfaqësuesit e FA theksuan se ende nuk është sjellë ndonjë vendim nëse dhe kur do të mund të bëhet një testim i ri i fluturakes.